Hetimi, Valdrin Pjetri jep shenjat e gishtave

AKTUALITET


Valdrin Pjetri ka depozituar të hënë gjurmët e gishtërinjve në laboratorin shkencor pranë Ministrisë së Brendshme, pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, raporton A2 CNN. Pas publikimit nga Partia Demokratike të disa dokumentave që tregonin se Pjetri ka qenë i dënuar 17 vite më parë në Itali, drejtoria e Dekriminalizimit lëshoi një kërkesë për verifikimin e kryebashkiakut të Shkodrës zgjedhur më 30 qershor (i dorëhequr tashmë), për të kryer verifikimin e figurës së tij.

Pjetri kishte një afat prej pesë ditësh, nga momenti i marrjes në dijeni për kërkesën e prokurorisë, por ai është paraqitur vetëm të hënën për të dhënë shenjat e gishtërinjve pranë laboratorit të kriminalistikës. Tashmë pritet hetimi përfundimtar i Prokurorisë në lidhje me pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit, i cili dyshohet se ka qenë i dënuar në Itali.

Në fakt, Pjetri, në letrën publike ku njoftonte se nuk do të pranonte mandatin e kryetarit të bashkisë së Shkodrës më 19 gusht, konfirmonte përfshirjen në një ngjarje në Itali, por sipas tij, nuk kishte qenë i dënuar për të. Megjithatë, për të sqaruar ngjarjen, si qytetar i thjeshtë, Valdrin Pjetri refuzoi të merrte mandatin e kryetarit të bashkisë së Shkodrës.



Skip to toolbar