Louis van Gal ka folur për faqen zyrtare te FIFA-s, ku veç të tjerave ka komentuar dhe suksesin e Ajax në Champions League. Legjenda holandeze e futbollit, ka folur me superlativa për futbollistët e rinj të ekipit nga kryeqyteti i holandës, që i dhanë leksione dy prej ekipeve pretendente këtë sezon në Champions.
Van Gal e ka drejtuar Ajax-in për 6 vite si trajner, ndërsa tani vlerëson ata që i cilëson si “nipa të Cruyff”, ish-legjendës tjetër të futbollit holandez.
“Futboll krijues, me një ekuilibër të mirë mes sulmit dhe mbrojtjes. Ky është Ajax-i aktual, që e tregoi veten qysh në ndeshjen kundër Bayern Munich, në grupe. E them me bindje, ky Ajax mund të shkojë deri në finale”.
Van Gaal ka folur edhe për sekretin kryesor, që e bën të tillë Ajax-in aktual, duke pasur parasysh pikat e referimit: De Jong dhe De Ligt. Ai nuk harron të kujtojë vitin 1995, kur skuadra holandeze humbi vetëm një ndeshje gjatë gjithë sezonit dhe u kurorëzua kampione Europe, pasi mundi Milanin në finale. Ishte vetë trajner i saj:
“Për mua ishte mjaft normale në atë kohë që t’iu jepja lojtarëve të rinj një shans, edhe pse trajnerët bëjnë shumë më pak tani në këtë drejtim. Eksperienca bën ndryshimin në futboll, por nëse janë mjaft të mirë, duhet të besosh edhe te të rinjtë, sepse të shpërblejnë”.
Në fund, Van Gaal foli edhe për Premier League dhe arsyen pse vendosi të trajnojë Manchester Unitedin, një ekip që holandezët e konsiderojnë “klubi më i mirë absolut në Angli”: “Mendova se do të përjetoja një eksperiencë të madhe në Angli, sidomos për shkak të atmosferës, të stadiumeve plot. Më pëlqen futbolli intensiv, me presion të madh. Kjo ishte edhe arsyeja pse zgjodha Manchester United, sepse është absolutisht klubi më i mirë në Angli”