Veliaj sulmon opozitën: Luli e Mona zaptuan Kopshtin Botanik

AKTUALITET


Kopshti Botanik është kthyer një landfill plehrash dhe pyll ferrash pa zot. Kështu u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në përgjigjen të akuzave të drejtuara ndaj tij nga PD dhe LSI për zaptimin e Kopshtit Botanik. Veliaj ka qenë i ashpër dhe ka sulmuar me emër dy krerët e koalicionit opozitar duke thënë se Luli e Mona zaptuan Liqenin dhe hodhën beton dhe tek Kopshti Botanik, ndërsa sot flasin ndryshe.

“Kopshti Botanik siç e dini ka qenë, të paktën kur unë kam qenë mosha e disa vullnetarëve këtu, një nga hapësirat më të bukura në Tiranë, sot është kthyer në një landfill plehrash në mes të Tiranës. Mjafton vetëm të bëni një xhiro në këtë perimetër dhe të shihni se si mblidhen të gjitha plehrat në Kopshtin Botanik, ku nuk vë dorë njeri jo vetëm për të hequr plehrat, por dhe të krasisë ferrat që e kanë rrethuar. Aty çdo ditë shihni “kaproj” që shqyejnë gardhin dhe futen si kaproj mes për mes për të çarë shtigje primitive brenda Kopshtit Botanik. Qartazi UT si dhe shumë punë të tjera është komplet i paaftë ta menaxhojë ”, tha Veliaj.


Më tej ai theksoi se ashtu si në rastin e Kartë së Studentit, të cilën Universiteti nuk arriti ta bëj realitet asnjëherë, ashtu edhe Kopshtin Botanik nuk ka qenë në gjendje ta menaxhojë siç duhet duke e lënë në një degradim total.

Më tej ai solli në vëmendje se në vitin 2011 qeveria e PD-së e grabiti Kopshtin Botanik duke i marrë një pjesë të mirë të tijën dhe për të hedhur në të asfalt për rrugë. “Kjo PD që doli sot, i futi asfalt dhe beton mes për mes Kopshtit Botanik, sot thonë ta ruajmë”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai theksoi se vendimi i qeverisë për t’ia kaluar këtë hapësirë Bashkisë së Tiranës është mundësia më e mirë ta ruajtur dhe pasuruar atë me bimësi të tjera. “VKM e kryeministrit Rama, e qeverisë tonë, hipoteka e Bashkisë së Tiranës, garanton këtë ruajtjen, sepse këta se ruanin dot. PD që reagi sot ishte e vetmja që i ka vjedhur një copë Kopshtit Botanik. Duke qenë se fuqia më e madhe gjelbëruese, fuqia më e madhe estetike, infrastrukturore, mbjellëse, botanike, fuqia më e madhe që transformon realitete urbane në Tiranë është Bashkia”, shtoi Veliaj.

Prova më e mirë që garanton këtë theksoi Veliaj janë të gjitha punët e mira që ka bërë Bashkia e Tiranës te Parku i Madh i Liqenit dhe te kthimi i shumë hapësirave që më parë ishin zaptuar dhe kthyer në vendgrumbullimi plehrash. “Po të ishte për partinë e Lulit dhe të Monës, shihni, meqë po flasim për Maratonën, si ishte gjysma e dytë e Liqenit, tani ku është bërë itinerari i ri, këndi i lodrave të reja. Ju kujtohet. Ju kujtohet ai gjermani që e rrahën e bënë të vdekur, sepse aty digjej plastika, ishte kthyer i gjithi në landfill, u çlirua sepse sot do kalojë Maratona, e kemi një kartolinë të Tiranës. Partia e Lulit dhe e Monës kur menaxhonin Farkën dhe kur menaxhonin atë interes, pjesën e Kopshtit Zoologjik, Botanik. Shihni ata e kanë pasur zonën e Farkës ku janë këto dy kopshte, këta doktorët e plagjiaturave që sot janë kryetarë dhe zëdhënësa partish, që jo vetëm ishin një dikaster si studentë me plagjiaturat e tyre, por ishin dikaster si politikanë. Ata e kishin menaxhimin, sot dalin si mbrojtës, kush hajdutët e parë. Një parti që zaptoi Liqenin dhe tjetra që i bëri autostradën mes për mes kur mund të devijohej dhe të bëhej në një hapësirë tjetër. Kështu që hipokrizia e atyre që sot ulërasin për zhvillimet urbane, janë të njëjtët, kanë 5 vjet që i dëgjojmë. I dëgjuam te Sheshi Skënderbej, te Pazari i Ri, te Kalaja. Ja ku është Kalaja sot, një nga vendet më të vizituara”, u shpreh Veliaj.

Veliaj siguroi se me investimet dhe vëmendjen që do të ketë Bashkia e Tiranës Kopshti Botanik do kthehet realisht në një hapësirë model studimore dhe shkencore për studentët dhe studiuesit e ndryshëm.




Skip to toolbar