Kopshti Botanik, fronti i ri i luftës

AKTUALITET


Kopshti Botanik ka hapur një tjetër “front lufte” mes opozitës dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Shkak është bërë padia e Fakultetit të Shkencave të Natyrës e cila kërkon që Kopshti Botanik të mbetet në varësinë e këtij fakulteti dhe të mos i kalojë Bashkisë së Tiranës. Por PD ka reaguar përmes Luçiano Boçit i cili ka bërë thirrje për protesta pranë Liceut Artistik të Tiranës. Boçi ka akuzuar Veliajn dhe Ramën për rrëmbim të pronës publike.

“Edi Rama dhe Erion Veliaj po rrëmbejnë me dhunë shtetërore Kopshtin Botanik, pronë e Universitetit të Tiranës, për ta shndërruar këtë nga një zonë të gjelbër dhe të rëndësishme për interesa akademike, në një shesh për kullat e betonit. Një vendim i qeverisë së Edi Ramës grabit 15 hektarë të Kopshtit Botanik me synimin për të pastruar aty në fushën e ndërtimit me miliona euro para të pista. Ky vendim është vjedhja më e madhe që i bëhet sot Universitetit dhe është në kundërshtim të plotë me ligjin e Arsimit të Lartë dhe statutin e Universitetit te Tiranës, të cilët nuk lejojnë trasferimin e pronësisë dhe ndryshimin e destinacionit të saj.


Vendimi është marrë nga Rama – Veliaj në mënyrë arbitrare dhe arrogante, pa pyetur as Rektoratin e universitetit, as Senatin, as dekanatin, as asamblenë e personelit akademik e as këshillin studentor që janë ligjërisht pronarët e vërtetë dhe ligjorë të Kopshtit Botanik”, është shprehur Boçi në një deklaratë për mediat.

Në të njejtën linjë ishte dhe qëndrimi i kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi e cila postoi një video nga Kopshti Botanik dhe i bëri thirrje të gjithë që të ngrihen në protestë kundër nismës së Ramës dhe Veliajt.

Kryemadhi akuzoi qeverinë, teksa tha se po tenton të kthejë çdo institucion të arsimit në përfitim dhe lavatriçe të pastrimit të parave.

“Iu bëj thirrje gjithë studentëve të Shkencave të Natyrës dhe ish-studentëve që të na bashkohen, sepse universiteti ka nevojë për t’u bashkuar. Nuk duam që e vetmja gjë që i ka ngelur këtij fakulteti të betonizohet, siç ka ndodhur në gjithë Tiranën. Ne këtu kemi studiuar shumë bimë dhe specia e të rralla, por një specie nuk e kemi studiuar, specien e Rilindjes, që po pushton të ardhmen e shqiptarëve.

Idiokracia e Rilindjes, që kërkon që çdo institucion të arsimit ta kthejë në përfitim dhe lavatriçe të pastrimit të parave, është një ndërhyrje dhe ndërgjegjësim i të gjithë shqiptarëve, pa dallim politik. Sot duhet të japim mbështetjen tonë për dijen, sepse vetëm kështu mund të shpëtojmë të ardhmen tonë”, tha Kryemadhi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryebashkiakut të Tiranës, Veliaj i cili hodhi akuza në drejtim të PD-së duke thënë se ata e hodhën beton në mes të Kopshtit Botanik. Veliaj akuzoi rektorin Mynyr Koni, duke thënë se ai ka mbledhur 5 mijë lekëshet për setet fotografike që bëhen të Kopshti dhe ka ngritur nje skeme korruptive. Veliaj premtoi se bashkia do ta tjetërsojë dhe do ta vërë në shërbim të qytetarëve këtë hapsirë të gjelbërt.

“Këta janë një tufë me avdallë që nuk e bëjnë dot këtë punë se ndryshe nuk na kishin lënë Liqenin. Sot dalin për vrap e harrojnë që nuk ka qenë kështu. Si s’doli njeri të kapi lopatën, kanë alergji nga lopata, këta botanistët, këta dashnorët e shkencës. Këta që ju keni vite jete sa kanë ata vite në pushtet, s’kanë prek një lopatë me dorë edhe kjo u sjell alergji, se si kalaja, si liqeni si amfitearti, këta që ju dhimbset gjëja publike, peng i 5 mijë lekshave të nuseve, ju garantoj ata që duan të bëjnë shkencë që jo vetëm do keni mundësi të bëni shkencë por do keni më shumë hapësirë, kjo bashki me financa modeste mobilizon edhe të tjerët të që të japin një dorë. Ata që duan të bëjnë shkence e s’janë matrapazët e bandës së Mynirit, janë të mirëpritur, në vend të na sillnin marrëveshjen na sollën fletërrufe, nën siglën e një partie.

Për ata që duan të bëjnë shkencë i mirëpres rektori i përket të kaluarës është pjesë e një skeme korruptive që u vërtetua edhe me tenderin e parë dhe do vazhdojë ta mbylli edhe këto muaj që i kanë mbetur… ta harrojë sa të jem unë kryetar bashkie s’do lejoj zgëqe në kryeqytet.

Kopshti botanik s’është monpol i Mynyrit, por edhe i qytetarëve të Tiranës”, tha Veliaj.




Skip to toolbar