Vettingu nxjerr jashtë sistemit kryegjyqtarin e Elbasanit

AKTUALITET


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra të mërkurën kryetarin e Gjykatës e Elbasanit, Sulejman Kurti, i cili ka rezultuar me probleme në të tria kriteret e vlerësimit, pasurinë, figurën dhe profesionalizmin.

Sa i përket pasurisë, Kurtit iu gjetën probleme me ndërtimin e shtëpisë dykatëshe, ku rezulton se ai nuk ka marrë leje për ndërtimin e saj, por për rregullime, ndërkohë që nuk justifikohen 1/3 e parave të investimit. Po ashtu, ai doli me probleme edhe me deklarimin e metrave katrorë të kësaj banese, ku kishte deklaruar vetëm 119.5 metra katrorë, ndërsa rezulton se në të vërtetë është  352 metra katrorë. Po ashtu, probleme me pasurinë u evidentuan edhe për një apartament. KPK tha se gjyqtari Kurti nuk ka pasur burime të ligjshme për kryerjen e investimeve, në total në vlerën 6 milionë lekë.


Lidhur me pastërtinë e figurës, DSIK kishte dorëzuar fillimisht një raport sipas të cilit gjyqtari Kurti ishte i përshtatshëm për të vazhduar detyrën. “Pas analizimit të disa informacioneve të reja, DSIK e ka ndryshuar vlerësimin fillestar duke konstatuar pa përshtatshmërinë e gjyqtarit Kurti”, tha KPK. Gjyqtari Kurti e kundërshtoi raportin e dytë të DSIK duke e cilësuar të pabazuar në prova. “Jam befasuar se paskam qenë i përshtatshëm deri në vitin 2017 dhe pastaj që nisi procesi vetingut, jo. Kjo është thikë pas shpine. Kërkoj që informacioni i DSIK të deklasifikohet plotësisht”, tha gjyqtari Kurti i cili shtoi se nëse gjendej edhe një gjysmë prove për përfshirjen e tij në afera korruptive ishte gati të përballej me drejtësinë.

Ndërsa për profesionalizimin, KPK renditi disa gjetje nga 7 denoncime që ishin bërë ndaj gjyqtarit. KPK tha se Kurti ka vendosur të cilësojë të ligjshëm arrestimin e një shtetaseje, pa argumentuar rrezikshmërinë e saj dhe se ky vendim ishte rrëzuar nga Apeli Durrës. Për një procedim të vitit 2010, Komisioni ka konstatuar se subjekti ka pranuar kërkesën e të pandehurit dhe e ka shmangur nga hetimi. Një tjetër rast për të cilin KPK ka ngritur dyshime është një procedim i vitit 2017, ku Kurti ka aplikuar akuza të tjera, ndryshe nga sa parashikonte ligji duke favorizuar të pandehurit dhe se ky rast ka të bëjë edhe me figurën.

Pikërisht për shkak të këtyre konstatime, KPK vendosi shkarkimin e gjyqtarit nga detyra pas 22 viteve punë. Sulejman Kurti e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1996 dhe ka punuar për gati një dekadë si gjyqtar i Gjykatës së Librazhdit. Me shkrirjen e kësaj gjykate në vitin 2007, Kurti është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Elbasanit, ndërkohë që në vitin 2016 u promovua si drejtues i kësaj gjykate.




Skip to toolbar