Bushati kundër rezolutës së PS për ndikimin rus. Balla: Kreu i PD nën hetim

AKTUALITET


Rezoluta kundër ndikimit rus në proceset zgjedhore në Shqipëri ka shkaktuar debate në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme, pasi kundër kësaj nisme të kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, ka dalë ish ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Ai tha se qeveria ka një sërë institucionesh që merren pikërisht me këtë çështje dhe një sërë strategjish të miratuara për sigurinë kombëtare, për sigurinë dixhitale, dhe është pjesë e strategjisë së Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe nuk është e nevojshme që në këtë “luftë” të përfshihet edhe kuvendi përmes kësaj rezolute.

“Duhet të kemi një dokument të certifikuar nga qeveria shqiptare për trajtimin e informacionit të klasifikuar. Duhet të kemi një informacion se cilat janë vendet e Ballkanit Perëndimor që e kanë marrë një nismë të tillë dhe pse na shtyn ne që ta marrim një nismë të tillë? Unë i kam bërë kërkimet e mia dhe nuk më rezulton që vendet e tjera e kanë një rezolutë të tillë. Ne së shpejti do të jemi pjesë e trojkës së OSBE dhe duhet të dimë nëse dy shtetet e tjera Sllovakia dhe Italia, si vende të OSBE e kanë një dokument të tillë. Nëse i referoheni rezolutës së Parlamentit Europian ata citojnë mbi 20 dokumente në atë rezolutë. Këtu te ne mungojnë citimet. Të mos lemë nam, sepse juristët do të qeshin me ne. Rezoluta që në fillim të saj është formuluar keq. Por ajo që më shqetëson është fakti se a është kjo rezolutë në përputhje me strategjinë kombëtare të sigurisë së Shqipërisë që është dokumenti bazë për sigurinë, i votuar në vitin 2014? Në rezolutë nuk thuhet se sa është në përputhje kjo rezolutë me dokumentin për sigurinë strategjike, me axhendën dixhitale të Shqipërisë dhe më një sërë dokumentesh të tjera për të cilat qeveria shqiptare ka përgjegjësi. Vetë fakti që jemi anëtarë të NATO-s na bën të jemi alert për këtë çështje, pra për ndikimet në proceset zgjedhore”, u shpreh Bushati.


Edhe deputeti i opozitës Ralf Gjoni u shpreh se nëse bëhet fjalë për financim të shqiptarëve nga Rusia apo Kina që të ndërhyjnë në proceset zgjedhore në Shqipëri, kjo përbën vepër penale dhe dënohesh me burg. Ai kërkoi informacion nga SHISH në lidhje me rastet që mund të kenë ndodhur në Shqipëri.

Në përgjigje Taulant Balla përdori si shembull rastin e kreut të PD-së, Lulzim Basha i cili është nën hetim nga prokuroria për përdorimin e parave ruse për financimin e lobimit të PD-së në SHBA.

Balla tha se autoritetet shqiptare përgjegjëse për këtë çështje nuk e zbardhën dot dhe se çështja u zbardh nga një revistë amerikane.

“Kjo rezolutë është e vonuar. Në momentin që u bë publike që Partia Demokratike vendoset nën akuzë që kryetari i saj përfiton financime të dyshimta ruse, sigurisht që parlamenti duhet të marrë masa. Financimi i fushatave zgjedhore me para të dyshimta, sigurisht që duhet të marrim masa dhe të rrisim kapacitet kontrolluese për këto financime. E kemi ligjin për financimin e partive politike, po si ka mundësi që PD merr nga Binjata Trade 500 mijë dollarë për lobimin e saj jashtë Shqipërisë. Këtë duhet ta kishin kapur organet tona ligjzbatuese. Por nuk e kapën këta, e zbuloi një revistë amerikane.

Ne parlamentin Europian edhe në raste të tjera e kemi një referencë të dobishme për një problem që e kemi këtu. Nëse ju thoni se ky problem nuk ekziston është çështje e kapacitetit për të analizuar situatën në vend. Por ka raste në rajon, siç është referendumi vitin e shkuar në Maqedoni. Ky është një draft, unë mirëpres propozime për ta përmirësuar, por të biem dakord që na duhet”, tha Balla në fjalën e tij.




Skip to toolbar