Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkojë nga detyra kryetaren e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro. Po cilat janë lidhjet e saj me Partinë Demokratike?
Mësohet se Hajro ka qenë vartëse e disa ish-ministrave të Sali Berishës deri në vitin 2013, kur u rrëzua me votë pushteti i Berishës.
Pas daljes në opozitë të PD-së, Enkeledi Hajro kapërceu sërish në sistemin e drejtësisë dhe jo thjesht si gjyqtare, por si kryetare e Gjykatës së Tiranës.
Hajro ka mbajtur postin e drejtorit të kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë gjatë periudhës 2011-2012, ku ministër Drejtësie ka qenë Eduard Halimi. Ndërsa gjatë periudhës 2012-2013 Enkeledi Hajro ka mbajtur gjithashtu postin e drejtorit të kabinetit në Ministrinë Brendshme, ku ministër i Brendshëm ka qenë Flamur Noka. Por nuk mjafton me kaq, sepse Enkeledi Hajro ka punuar pranë pushtetit të Sali Berishës që nga viti 2006, pra një vit pasi Berisha erdhi në pushtet. Në vitet 2006-2008, Hajro ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, ku ministër ishte Enkelejd Alibeaj. Kjo është koha kur ministri Alibeaj thuhet u përfshi në dosjen “Gërdeci” pas disa fakseve të shkëmbyera me palët e interesuara dhe përfshirjen e dyshuar të familjarëve të Kryeministrit të kohës.
Ndërsa në vitet 2008-2011 ka punuar si Avokate Shteti për çështjet e Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Enkeledi Hajro u shkarkua nga detyra për shkak të problemeve me pasurinë.