Zbardhet dëshmia: Vilsonin e kisha shok, por e vrava së më shau nga nëna

AKTUALITET


29-vjeçari Noel Dishi i akuzuar për vrasjen Vilson Tafçiut në një nga lokalet e zonës së Astirit në Tiranë u dorëzua të enjten në polici, ndërsa është zbardhur dëshmia e tij, ku ka rrëfyer dhe arsyen se përse e vrau shokun e tij. Dishi ka dëshmuar në polici se nuk kishte si qëllim ta vriste Vilsonin pasi e kishte shok, por ky i fundit e kishte sharë nga nëna dhe në gjaknxehtësi e sipër ai e kishte qëlluar me armë. Dishi ka thënë se më pas është strehuar në një hotel në Kavajë dhe se është penduar shumë për krimin e bërë.

“Me Vilsonin ishim shokë prej vitesh. Nuk kam dashur ta vras. Të hënën shkova tek lokali për ta takuar. Nuk kam pasur si qëllim ta vras. Unë lëvizja gjithmonë me armë me vete. Kur e takova ai më shau nga nëna. U ndjeva shumë i ofendur për shkak të marrëdhënies që kishim pasur. Unë e kam marrë në shtëpi, nuk duhet ta thoshte këtë gjë. U nervozova dhe e qëllova. Pas krimit jam larguar dhe kam qëndruar në një hotel në Kavajë. Jam shumë i penduar për krimin e kryer”, është shprehur Dishi.


29 vjeçari nuk ka dhënë detaje pse është prishur miqësia mes tij dhe viktimës. Ai ka thënë se është në gjendje të rënduar psikologjike dhe se do të flasë në një moment tjetër.

Noel Dishi dhe Vilson Tafçiu kanë qenë bashkë në emigrim si në Francë ashtu edhe në Belgjikë. Dyshimet e policisë ishin se ai e ka vrarë për shkak të prishjes së ndonjë pazari nga shitja e lëndëve narkotike. Noel Dishi sipas policisë përdor 3 emra të tjerë çka shtojnë dyshimet për punët e tij.

Vrasja e Vilson Tafçiut ndodhi rreth orës 20:45 të së hënës, teksa ai ishte duke pirë kafe me dy vajza në një prej lokaleve më të frekuentuara në zonën e “Astirit”, në Unazën e Re, në Tiranë. Në atë kohë, brenda lokalit është futur një person, i cili është drejtuar te tavolina dhe i ka kërkuar 28- vjeçarit që të dilte për pak sekonda jashtë me të, pasi do të sqaronte diçka. Të paktën siç kanë deklaruar dy vajzat që e kanë parë personin e dyshuar, nga mënyra se si kanë komunikuar dy të rinjtë, dukej që kishte një njohje të mëparshme mes tyre.

Tafçiu është ngritur nga tavolina dhe ka dalë jashtë bashkë me personin që e kërkoi. Të dy kanë kaluar në anë të lokalit, pranë një rrugice dhe brenda pak sekondash, ai është qëlluar me armë zjarri. Nga verifikimet e kryera në sistem, 28-vjeçari rezulton të jetë deportuar nga autoritetet franceze më 6 nëntor të vitit 2018. Sipas të dhënave që ka verifikuar grupi hetimor, Vilson Tafçiu rezulton të jetë larguar nga Shqipëria më 7 mars të vitit 2018 dhe ka qëndruar në Francë. Atje është arrestuar disa ditë më pas, konkretisht më 12 mars 2018, pasi u kap duke shpërndarë lëndë narkotike. Drejtësia franceze e ka dënuar me një vit heqje lirie, por pasi ka qëndruar 8 muaj në paraburgim, është vendosur që të deportohet në Shqipëri.




Skip to toolbar