Virusi misterioz në Kinë, shqetëson shkencëtarët: Po përhapet me shpejtësi

AKTUALITET


Shkencëtarët britanikë janë shqetësuar për shkak të përhapjes me ritme të shpejta të nje virusi misterioz që ka shpërthyer në Kinë dhe që ka marrë jetë njerëzish.

Ka pasur gati 50 raste të konfirmuara të virusit të ri, por ekspertët në Mbretërinë e Bashkuar vlerësojnë se shifra është afër 1,700.


Dy njerëz dihet se kanë vdekur nga sëmundja e frymëmarrjes, e cila u shfaq në qytetin Wuhan në dhjetor.

“Jam shumë më i shqetësuar sesa kam qenë një javë më parë,” tha shkencëtari Neil Fergurson për shpërthimin e sëmundjes.

Qendra MRC për Analizën Globale të Sëmundjeve Infektive në Imperial College të Londrës ka këshilluar qeverinë dhe Organizatën Botërore të Shëndetit të marrin masat e duhura.

Singapori dhe Hong Kong kanë nisur ekzaminimin e pasagjerëve, ndërsa edhe autoritetet amerikane njoftuan se kanë marrë masa të ngjashme në tre aeroporte kryesore në San Francisko, Los Angeles dhe New York.

Megjithatë zyrtarët kinezë thonë se nuk ka pasur raste që virusi të përhapet nga një person te tjetri.

Ata thonë se virusi ka kapërcyer pengesën e specieve dhe vjen nga kafshë të infektuara. Profesor Ferguson argumenton se pavarësisht kësaj duhet të merren masa dhe duhet pasur kujdes se virusi mund të transmetohet nga njeriu tek njeriu.

Po çfarë është ky virus?

Mostrat virale janë marrë nga pacientët dhe janë analizuar në laborator. Zyrtarët në Kinë dhe Organizata Botërore e Shëndetit ka konkluduar se infeksioni është një koronavirus. Koronaviruset janë një familje e gjerë e viruseve, por vetëm gjashtë ose shtatë prej tyre dihet se infektojnë njerëzit.

Ata shkaktojnë ftohjen e zakonshme, dhe më pas kalojnë në një sindrom të rëndë të frymëmarrjes akute. Një sindrom i ngjashëm (Sars) është një koronavirus që vrau 774 nga 8,098 personat e infektuar në një shpërthim që filloi në Kinë në vitin 2002.

Analiza e kodit gjenetik të virusit të ri tregon se është më e lidhur me Sars se çdo koronavirus tjetër njerëzor. Virusi ka shkaktuar pneumoni në disa pacientë dhe ka qenë fatale në dy prej tyre./BBC




Skip to toolbar