Voltana molotovi e Shkodrës, ka vendosur të mos i japë leje kryeministrit Rama që të zhvillojë një takim elektoral me banorët e Shkodrës pasditen e së enjtes. Vetë kryeministri e ka cilësuar këtë një përpjekje që i kujton enveristët fanatikë në ’91 që në grahmat e fundit bënin antimitingje, ndërsa shtoi se “mbase PD ka në plan të bëjë sot pasdite një 2 prill tjetër në Shkodër”, duke nënkuptuar se mund të ketë viktima.
“Sot kemi planifikuar takimin elektoral në Shkodër. Për herë të parë që nga vitit 1991 qysh se kemi nisur fushatën elektorale rishfaqet fenomeni i dëshpëruar në shëmtinë e vet i anti-mintingjashëve. Ka pasur Shqipëria dhe momente të rënda realisht por ka pasur konsensus mes forcave politike që nuk pengohet aktiviteti i tjetrit. Enveristët fanatikë të 91-shit që përpiqeshin në grahmat e fundit të enverizmit institucional t’i zinin rrugën partisë së sapolindur demokratike sot rishfaqen në grahmat e asaj partie që ka humbur totalisht busullën dhe sensin e misionit për të cilin lindi dhe që rrogëtarët e paguar nga taksat në nivelin vendor u përdor njësoj siç përdorte asokohe Partia e vjetër e Punës disa falanga njerëzish pa të ardhme. Ajo që është e trishtueshme është fakti se njësoj si në atë kohë kjo përpjekje nuk ka as shumicën e shqiptarëve dhe asnjë mik dhe partner ndërkombëtar në krah.
Pjesë trishtuese është përdorimi i nëpunësve, i policëve bashkiakë që po humbasin të drejtën që të punojnë për shtetin, janë në shkelje flagrante të ligjeve. Janë në shkelje të ligjeve dhe pse në këtë farsë mund të ndihen të imunizuar nga ligji, jeta vijon edhe pas 30 qershorit. Mbase plani është për të bërë një 2 Prill tjetër sot pasdite, pasi historia ka ndryshuar, por asgjë nuk ka ndryshuar në vizion, qasje dhe metodë në kokën e atij që është lideri suprem i PD-së. Ai që është në zyrën e Presidentit po i hedh benzinë zjarrit”, tha Rama.
Ai tha se kjo situatë i kujton “Haxhi Qamilin kur thoshte sa të kem Kavajën dhe Shijakun unë nuk (ai thoshte një fjalë që nuk është vendi për ta thënë) po e them me pyes (ai nuk thoshte pyes) për Francën dhe Anglinë”, tha Rama, i cili nënkuptoi se presidenti nuk po pyet më për ndërkombëtarët të cilët janë 100% në favor të zhvillimit të zgjedhjeve në 30 qershor.
Ora 5:30, Militantët e PD-së bllokojnë rrugën për të penguar Ramën
Militantët e Partisë Demokratike kanë bllokuara aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në kryqëzimin e Dajçit për të penguar kalimin e kryeministrit Rama, që të zhvillojë një takim elektoral në Shkodër. Militantët janë përplasur me policinë, të cilët kanë kërkuar lirimin e rrugës.
Gjithashtu në të njëjtën orë që Rama pritet të zhvillojë takimin elektoral, Partia Demokratike ka lajmëruar se do të mbaj një marshim, ku fton qytetarët të marrin pjesë për të ndalur “këtë murtajë që po përpiqet për të vjedhur vullnetin e qytetarëve”
Hajdari replikë me Ramën: Nëse e dini se do këtë një tjetër 2 prill, reflektoni
Në replikë me kryeministrin, Rudina Hajdari kërkoi nga ai që të reflektojë për 30 qershorin, në rast se ka informacion se mund të ketë një tjetër 2 prill dhe të mos lejojë të tjera viktima në Shqipëri.
“Nëse ju këmbëngulni që zgjedhjet më 30 qershor, nëse ju keni informacion që do ketë vrasje si në 2 prill a nuk është e drejtë që t’i evitoni këto konflikte, dhe të ruani jetët e njerëzve dhe të mos dilni këtu të thoni do ruajmë shtetin e së drejtës? Nëse ju nuk doni të krijoni precedent që ta vijojë qeveritë më pas… por nëse ju krijoni viktima, a nuk do krijoni ju një precedent të së kaluarës, a nuk i jepni ju Shqipërisë viktima që nuk i duhen më? Thirrini ndërgjegjes suaj të dashur politikanë se koha po mbaron. Ne nuk duhet të bëjmë lojëra të tilla para shqiptarëve. Nëse kryeministri thotë që mund të ketë viktima në vijim duhet të marrë të gjitha masat për ta evituar këtë situatë”, tha Rudina Hajdari.
Për Rudina Hajdarin, situata me KZAZ-të dhe me përplasjet e forta institucionale që po ndodhin së fundi në Shqipëri duhej të ishin evituar. Sipas saj, njësoj fajtorë janë të dyja palët që sipas saj po i hedhin benzinë zjarrit.
“Një seancë e jashtëzakonshme duke marrë parasysh se çfarë po ndodh jashtë këtyre mureve, një situatë që duhej të ishte evituar më parë. Ja ku erdhëm për shkak të politikës shqiptare, të së njëjtës metodë të 30 viteve të fundit. Disa individë luftojnë njëri-tjetrin dhe në asnjë lloj mënyrë nuk shmangin dhunën. “Dhuna fillon aty ku mbaron arsyeja”. Dhuna fillon aty ku mbaron politika. Por ka dhunë fizike, psikologjike, verbale, dhe nëse do flasim për dhunë kemi një dhunë të jashtëzakonshme që po ndodh si nga individë të caktuar jashtë parlamentit, por edhe nga kryeministri që vijon të përdorë një gjuhë arrogante, ofenduese për deputetët e këtij parlamenti. Është e drejtë të themi që ne kemi humbur arsyen në mënyrë që sot nuk jemi në gjendje t’i japim shqiptarëve përgjigje si do të zgjidhim konfliktin që po ndodh në të gjitha qytetet e Shqipërisë, dhe pritet të kemi akoma më shumë konflikte të tjerë. Jemi përballë një realiteti që duhej të ishte evituar me kohë. Jemi përballë një realiteti që kërkon shtetarë që japin zgjidhje dhe jo t’i hedhin akoma më shumë benzinë zjarrit. Asnjë palë nuk po përdor arsyen për të evituar këtë situatë. Është koha që parlamenti të funksionojë për të gjetur një rrugëdalje në këtë krizë të madhe. Është koha t’i themi jo dhunës, për të gjetur zgjidhje. Duhet të ndodhë një herë e më parë edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor. Është kohë të përfundojmë reformën në drejtësi”, u shpreh Rudina Hajdari.