Vrau bosin shqiptar të drogës në Britani, në pranga 22-vjeçari suedez

AKTUALITET


Një burrë suedez është arrestuar në aeroportin e Kopenhagenit, si i dyshuari kryesor i policisë për vrasjen e Flamur Beqirit, bosit shqiptar të drogës që u qëllua me armë ditën e Krishtlindjes në sy të familjes së tij.

Flamur Beqiri, 36 vjeç, ka qenë i lidhur me disa vrasje të bandave në Suedi, dhe ishte një nga personat më të kërkuar të vendit. Babai i dy fëmijëve u qëllua me breshëri plumbash në sy të gruas së tij që ulërinte Debora Krasniqi dhe fëmijës së tij, jashtë shtëpisë së tyre prej 1.5 milionë paund në Battersea, Londër në 24 dhjetor.


Një burrë 22 vjeç, nga Malmo, Suedi, u arrestua nga policia Daneze sapo u kthye nga një udhëtim në Tajlandë, siç raportohet nga gazeta suedeze Kvallsposten.

I riu i arrestuari quhet Anis Hassimi. Detektivët britanikë të skuadrave të vrasjeve kanë bashkëpunuar me kolegët suedezë dhe besojnë se Beqiri, me origjinë shqiptare, ishte përfshirë në një luftë bandash me kriminelët e Afrikës së Veriut.

Një person besohet të ketë mbajtur Beqirin nën vëzhgim përpara se ta qëllonte, ndërsa ishte kthyer në shtëpi me gruan Debora dhe djalin e tyre në mbrëmjen e 24 dhjetorit.

Policia beson se Beqiri ishte pjesë e kontrabandës së drogës, e cila financonte dhe stilin e jetës ekstravagante të tij dhe dasmën luksoze të mbajtur në liqenin e Comos në Itali, në tetor 2018.

Burri i arrestuar për vrasjen e Beqirit thuhet se është me origjinë tuniziane. Ai mohon çdo përfshirje në vrasje dhe është zotuar të luftojë për të mos u ekstraduar në Mbretërinë e Bashkuar.

Policia tha: “Një 22-vjeçar u arrestua në Aeroportin e Kopenhagës, Danimarkë, më 20 janar me një Urdhër Arrestimi Evropian me dyshimin për vrasjen e Flamur Beqirit. Ai mbetet në paraburgim në Danimarkë në pritje të procedurave të ekstradimit përsëri në Mbretërinë e Bashkuar.”




Skip to toolbar