Serbia kërkon lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar nga veriu i Kosovës dhe në të njëjtën kohë po kërkon mënyra për të ulur tensionet në Veri, ka thënë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç në një intervistë për Reuters.
Ai ka përsëritur qëndrimin e thënë në konferencë për media pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë “serbët e Kosovës nuk duhet të përfshihen në dhunë kundër trupave të NATO-s dhe anëtarëve të misionit të Bashkimit Evropian”.
“Askush, në asnjë rrethanë, nuk duhet të përfshihet në sulmet… mbi EULEX-in dhe KFOR-in,” i tha Vuçiç Reuters-it në zyrën e tij në Beograd.
Ai nuk ka pranuar të elaborojë mbi hapat e miratuar nga Këshilli i Sigurisë dhe i pyetur nëse Beogradi do të kërkojë de-eskalimin e situatës në veri të Kosovës, u përgjigj me: “Absolutisht”.
“Sa herë që dikush mendon se kemi diçka të zgjidhur, shfaqet një problem tjetër”, shtoi Vuçiç, duke thënë se kriza e fundit ishte e papritur.
Në fund të intervistës ka deklaruar se “Policia e Kosovës nuk ka çfarë të kërkojë në veri… veçanërisht me njerëz të armatosur … deri në dhëmbë”.
“Kjo shkakton shqetësim dhe frikë në popullatën serbe”.
Vuçiç nuk ka pranuar të komentojë bandat kriminale të veriut dhe sulmet e tyre ndaj policëve të Kosovës.
