Vullnetarja që qetësonte banorët, Rama i kërkon ndihmë inxhinieres Bozo

POLITIKË


Kryeministri Edi Rama mbajti një takim në zyrën e tij me ish-pedagogen e fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, njëkohësisht edhe inxhiniere, Luljeta Bozon, së cilës i kërkoi ndihmë sa i takon fazës së ekspertimit të godinave të dëmtuara në tërmetin e 26 nëntorit.

Në takimin që pati në fokus dëmtimet e tërmetit u tha se deri më tani nuk është dënuar asnjë arkitekt apo inxhinier si përgjegjës për dëmet e shkaktuara. Bozo u shpreh se licencat e inxhinierëve apo arkitektëve nuk duhet të jepen nga Ministria por nga Urdhri i Inxhinierëve.


“Kam shkuar në objekte dhe në shkolla. Unë kam një shqetësim timin. Njerëzit u strehuan, mirë keq u futën brenda. Tashi fillon ekspertiza. Tani këtu e kam merakun, sepse nuk ka një grup në institut që t’i mbulojë të gjitha. Shkon i huaji thotë që mban pallati, ndërsa shkon pastaj pushteti vendor dhe i vë shiritin”, u shpreh Bozo. Rama iu përgjigj se u kemi kërkuar të huajve të na thonë mban apo jo struktura. “Po shiriti të vihet deri sa të riparohet. Një shkallë që kërkon një riparim, prandaj janë këto shirita. Mendoj që do ishte pozitive nëse ju do na ofroni ndihmë për pjesën e paketës së riparimeve. Ne po bëjmë një paketë të standardeve të riparimeve. Duhet të ecim me një platformë se si të organizohet ndërtimi. Nuk ka një të dënuar për cenimin e lejes së ndërtimit. Më jep energji. Ishalla në moshën tuaj unë kam gjysmën e energjisë suaj. Jeni një burim sigurie më shumë për njerëzit”, u shpreh Rama.

Luljeta Bozo është tanimë një figurë mjaft popullore për publikun shqiptar, prej reagimeve të saj të shumta sa i takon çështjes së standardeve të ndërtimit në Shqipëri. Ajo, edhe pse në moshë të thyer, gjatë ditëve të panikut, doli nëpër pallate, duke vëzhguar dhe duke sqaruar njerëzit në panik, të cilët kishin frikë të hynin në pallatet e tyre.




Skip to toolbar