Qeveria pezullon Arben Malajn dhe kërkon shkarkimin

#NËRADAR


Qeveria ka pezulluar nga detyra anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj dhe i ka propozuar Kuvendit shkarkimin e tij. Vendimi është marrë nga mbledhja e Këshillit të Ministrave në datën 3 dhjetor, ndërsa të enjten është botuar në Fletoren Zyrtare.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe ligjit për Bankën e Shqipërisë, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: që Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të pezullohet nga kjo detyrë. Qeveria i propozon Kuvendit të Republikës së Shqipërisë shkarkimin e Arben Malaj nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.


Ky veprim i Qeverisë vjen disa muaj pasi maxhoranca kërkoi shkarkimin e Arben Malajt në Kuvend me arsyetimin se ai kishte shkelur Kodin e Etikës së Bankës së Shqipërisë.

28 deputetë të maxhorancës kërkuan shkarkimin e Arben Malajt, duke dorëzuar dhe kërkesën në parlament. Por, në seancën e datës 18 korrik të këtij viti, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi e ktheu pas këtë kërkesë. Ai sqaroi se Kuvendi kishte mos kompetencë për shkarkimin e Arben Malajt, duke ia kaluar Këshillit të Ministrave këtë vendim.

Sipas Ruçit, në arsyetimin e dhënë në 18 korrik, hapin e parë për shkarkimin e Arben Malajt duhet ta bënte pikërisht Këshilli i Ministrave, dhe më pas i drejtohej Kuvendit. Ndaj, Qeveria konfirmon se i qëndron mendimit për shkarkimin e Arben Malajt, duke hedhur hapin e parë të shkarkimit të tij. Tashmë, ky vendim i Këshillit të Ministrave i kalon Kuvendit për miratim përfundimtar. /Realstory.al/




Skip to toolbar