Kolegji rrëzon Bindjen: Zgjedhjet në Selenicë të rregullta

AKTUALITET


Kolegji Zgjedhor ka vendosur të rrëzojë padinë e partisë Bindja Demokratike, që kërkonte shpalljen të pavlefshëm të zgjedhjeve në Bashkinë e Selenicsë. BD kishte kërkuar në kolegj që zgjedhjet e 30 qershorit në Selenicë të mos njiheshin, pasi sipas kësaj partie në kutitët e votimit janë hedhur më shumë vota, nga sa kanë votuar votuesit në realitet.

Por Kolegji Zgjedhor ka vendosur të rrëzojë këtë kërkesë, duke konfirmuar ligjshmërinë e procesit të zgjedhjeve për Bashkinë Selenicë. Pas seancës në kolegj, ka folur përfaqësuesi ligjor i Bindjes Demokratike, Fabian Topallaj, i cili është shprehur se “mendojmë që kutitë janë mbushur nga komisionerët.


 “Vëzhguesit tanë kanë vërejtur se në mbyllje të votimit ka pasur diskordancë në numrit të njerëzve që ata kanë numëruar të votojnë dhe numrit që rezultonte në lista”, tha Topollai.

“Mendojmë se komisionerët u kanë dhënë votuesve më shumë se një fletë votimi. Po ashtu mendojmë se kutitë janë mbushur nga komisionerët. Ka diskordancë të numrit të votave të numëruara në ekranet e numërimit dhe votave të pasqyruara në procesverbale. Në kërkuam ne KQZ të hapen kutitë e materialeve zgjedhore”.

Ndërkohë, lidhur me këtë çështje, i pranishëm në seancën e Kolegjit Zgjedhor, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Eridian Salianji, u shpreh se “pretendimet e Bindjes Demokratike, janë thjeshtë politike, dhe nuk ka asgjë në të vërtetë në to”.

 Në këto kushte, Kolegji Zgjedhor i jep një tjetër verdikt ligjor procesit zgjedhor të 30 qershorit, duke rrëzuar indirekt edhe akuzat e Partisë Demokratike se “në 30 qershor u mbushën kutitë me fleë votimi.

Gjatë ditës së hënë pritet që të shqyrtohet po në Kolegj Zgjedhor edhe disa kërkesa të Partisë Socialiste për shpërndarjen e mandateve të këshillave bashkiakë në disa bashki.




Skip to toolbar