Masakra e së martës në Klos ka tronditur mbarë opinionin publik, por detaji më i rëndë i ngjarjes ku mbetën të vrarë dy vëllezerit Dakuci është vrasja e nipit nga xhaxhai.
Floget Dakuci, pas një jave do të festonte 20-vjetorin e tij të lindjes dhe mbeti viktimë e një sherri të kotë për vetëm 20 centimetra tokë.
Floget Dakuci rezulton se është qëlluar një herë në shpatull, në krahun e zemrës. Ndërsa babai i tij, Kutim Dakuci, është qëlluar me një plumb në gojë. Sali Dakuci, pasi qëlloi ndaj të dyve, u largua në banesën e tij dhe në kushte të rënda psikologjike qëlloi veten në kokë. Flogeti ka pasur shenja jete deri në Qendrën Shëndetësore Klos, por më pas ka ndërruar jetë. Ndërsa Kujtim Dakuci është transportuar me një mjet privat nga Xibri drejt Spitalit “Xhavit Mara”, por pa mbërritur ende në qytetin e Burrelit, ka ndërruar jetë.
Ngjarja tragjike ndodhi të martën rreth orës 14.30 në fshatin Xibër të Klosit. Sali Dakuci, 53 vjeç, babai i dy vajzave dhe një djali, qëlloi për vdekje vëllanë e tij Kujtim Dakuci me të cilin ishin në sherr prej vitesh për 20 centimetra tokë. Më pas ai qëlloi me pistoletë edhe nipin Flogetin. Pas vrasjes së dyfishtë, 53-vjeçari qëlloi edhe mbi veten. Brenda pak minutave, tre persona humbën jetën.