Zaloshnja: Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit duhet të hapen për të gjithë. Pikë!

Më të fundit


Irakli Kostallari, drejtori i parë i SHIK-ut (institucionit pasardhës të Sigurimit të Shtetit), deklaroi mbrëmë në një intervitë televizive se egzistojnë të gjitha dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në një formë apo në një tjetër – në fashikuj, mikrofilma, skedarë etj. Në ato dosje, në një mënyrë apo një tjetër, gjenden emrat e të gjithë atyre që janë survejuar, kanë bashkëpunuar ose janë favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit.

Sipas Kostallarit, përgjatë 45 vjetve të diktaturës komuniste, rreth 90 mijë persona kanë qenë bashkëpuntorë ose të favorizuar nga Sigurimi i Shtetit për informacionet e dhëna. Sipas Gentiana Sulës (Drejtores së AIDSSH), rreth 25 mijë shqiptarë janë dënuar për çështje politike gjatë diktaturës komuniste.


Tani që kanë kaluar 32 vjet nga rënia e regjimit komunist, të gjitha dosjet që tregojnë historinë e 90 mijë bashkëpuntorëve ose informantëve të favorizuar dhe të 25 mijë të dënuarve për çështje politike gjatë atyre dekadave të errëta duhet të hapen plotësisht për gjithë publikun e gjerë – kushdo duhet të ketë mundësinë të hulumtojë e të fotokopjojë çdo dosje. Kjo e drejtë nuk duhet të mbetet vetëm monopol i disave, që mund ta keqpërdorin këtë monopol…

Hapja totale e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit mund të shkaktonte probleme sociale në vitin 1990, por jo sot në prag të vitit 2023, kur më shumë se treçereku i bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit mund të kenë vdekur (Dosjet e disa pak agjentëve të dyshuar të UDB-së ose KGB-së mund mbahen ende të mbyllura, nëse janë gjallë).

Se çfarë pasojash politike duhet të kenë sot ata bashkëpuntorë të ish-Sigurimit të Shtetit që janë ende gjallë, është thjesht një çështje politike që mund të zgjidhet politikisht në Kuvendin e Shqipërisë. Por publiku i gjerë shqiptar duhet ta ketë tashmë mundësinë të mësojë drejtpërdrejt emrat e të gjithë atyre që janë survejuar, kanë bashkëpunuar ose janë favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit!

SHËNIM: Për transparencë, autori i këtyre rreshtave u detyrua para disa vitesh nga një ngacim gazetaresk periferik, që të bënte kërkese zyrtare në AIDSSH, për të vërtetuar zyrtarisht se nuk kishte qenë as i survejuar, as bashkëpunëtor, e as i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit (shihni vërtetimin e bashkëngjitur)




Skip to toolbar