Zaloshnja: LSI, nyja kyçe për PD-në

#NËRADAR


Nga Eduard Zaloshnja

Qysh nga themelimi i LSI-së, çdo fitore apo humbje e PD-së ka qenë e lidhur me këtë parti.

Në vitin 2005, ndarja e votave të majta mes kandidatëve të LSI-së dhe atyre të PS-së, i shkaktoi humbjen kësaj të fundit në 18 zona elektorale. Plot 18 kandidatë të PD-së u bënë deputetë me më pak se 50% të votave në zonat e tyre, falë ndarjes së votave të majta mes kandidatëve të PS-së dhe LSI-së. Si rezultat, koalicioni i PD-së fitoi 74 mandate, edhe pse mori vetëm 41% të votës popullore…

Në vitin 2007, LSI-ja ishte në koalicion me PS-në. Në garën më të fortë loakale, në Tiranë, kandidati për kryebashkiak i PD-së u mund me 20 mijë vota. Ndërkohë, LSI-ja, që bëri fushatë përkrah Edi Ramës, mori 20 mijë vota në Tiranë…

Në vitin 2009, LSI-ja krijoi një koalicion të vogël më vete, duke i pamundësuar secilit prej dy koalicioneve të mëdha të siguronte 71 mandatet e nevojshme për të krijuar qeverinë. Vendimi i LSI-së për të bashkuar votat me Berishën në Kuvend, i dha mundësinë këtij të fundit për të qeverisur edhe një 4-vjeçar tjetër…

Në vitin 2011, për herë të parë pas 15 vjetësh, një kandidat i PD-së arriti të marrë pothuaj po aq vota në Tiranë, sa edhe kandidati i PS-së. Ndërkohë, LSI-ja, që fushatoi fort për kandidatin demokrat, mori 21 mijë vota në Tiranë…

Në vitin 2013, LSI-ja pothuaj i trefishoi votat e saja (e fuqizuar nga 4 vjet ndejtje në pushtet), duke marrë 16 mandate parlamentare. Por kësaj rradhe ajo ishte në koalicion me PS-në (e cila, si katër vjet më parë, mori përsëri 66 mandate).  Në këtë mënyrë, PD-ja dhe aleatët e saj të vegjël mbetën një pakicë e mpakur parlamentare…

Në vitin 2015, Erion Veliaj fitoi me një epërsi prej 40 mijë votash ndaj rivalit të tij demokrat në garën për Tiranën. Ndërkohë, LSI-ja që bëri fushatë përkrah Veliajt, mori 40 mijë vota në bashkinë e Tiranës…

Në vitin 2017, Rama vendosi të garojë më vete nga LSI-ja, ndërkohë që i shkeli syrin Bashës për një “Große Koalition“(koalicion të madh) pas zgjedhjeve. E ndodhur mes dy zjarresh (por e fuqizuar edhe nga katër vite të tjerë në pushtet), LSI-ja i rriti përsëri votat e saja (nga 180 mijë në 225 mijë). Sidoqoftë, ajo nuk arriti ta pengojë PS-në në objektivin e saj për të siguruar të paktën 71 mandate. E vetmja gjë që bëri LSI-ja ishte zgjerimi elektoral në kurriz të PD-së (në qarqe si Durrësi, Lezha, Tirana, Korça etj.)…

Si një njeri që ka siguruar dy madate kryeministrore falë pozicionimit të LSI-së pro tij (dhe që ka pësuar disa humbje të rënda po prej saj), Berisha e kuptoi këto ditë se duhej të dilte vetë në mejdan në mbrojtje të Ilir Metës (kryetarit de facto të LSI-së), ndërkohë që Basha endej nëpër Shqipëri, për të shpalosur vizionin e tij futurist mbi bujqësinë.

Fakti që Basha s’është ndjerë në këto javë të vështira për Metën, tregon se mund të jetë joshur nga ndonjë ofertë e Ramës për ta zëvendësuar Metën me një politikan të PD-së, ose thjesht se shpreson që dikur PD-ja dhe aleatët e saj të vegjël ta marrin pushtetin pa ndihmën e LSI-së. Por Berisha, si një politikan i rrahur me vaj e me uthull elektoral, mendon gjithnjë për zgjedhjet e rradhës. Ai e kupton se një dobësim i mëtejshëm i LSI-së mund të çojë ujë në mullirin elektoral të Ramës në zgjedhjet e 2021-shit. Prandaj dhe doli në mbrojtje të fuqishme të Metës. Dhe nuk është çudi që ta detyrojë edhe Bashën këto ditë, të bëjë të njëjtën gjë…



Skip to toolbar