Zaloshnja: PD rritet me 100 mijë vota, përgjysmohet LSI

AKTUALITET


Nga Eduard Zaloshnja

Nga një projeksion që i bëra votave, bazuar në një sondazh që zhvillova ditët e para të korrikut, rezultonte që, nëse zhvillohen zgjedhje parlamentare sot, PD-ja dhe satelitet e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj) marrin rreth 635 mijë vota. Ndërkohë, LSI-ja merr rreth 85 mijë vota.

Me pak fjalë, shohim se me rritjen e PD-së dhe satelitëve të saj, kemi një tkurrje të LSI-së. Në fakt një korelacion i tillë vihet re në të gjithë dekadën e fundit.

Para dy vjetësh situata ishte ndryshe. Në zgjedhjet e 2017-ës, PD-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj) morën gjithsej 535 mijë vota, që përbën minimumin e tyre historik. Ndërkohë, LSI-ja mori plot 225 mijë vota, që përbën kuotën maksimum të saj në zgjedhjet parlamentare.

Kështu, në vitin 2009, PD-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj.) morën gjithsej 760 mijë vota, ndërsa LSI-ja vetëm 75 mijë vota.

Në vitin 2013, PD-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj.) u tkurrën me 80 mijë vota, ndërsa LSI-ja u rrit me 105 mijë vota.

Në vitin 2017, PD-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj.) zbritën në pikën më të ulët (535 mijë vota), ndërsa LSI-ja kapi pikën e saj më të lartë (225 mijë vota).

Grafiku shoqërues e ilustron qartë këtë korelacion elektoral: Kur bie PD etj., rritet LSI, dhe anasjelltas.



Skip to toolbar