Zaloshnja: Tërmeti dhe kokrrat e ulëta të pemës elektorale

OPINION


Nga Eduard Zaloshnja

Nate Silver, një nga statisticienët elektoralë e sportivë më të njohur në SHBA (themelues i portalit fivethirtyeight.com ), thekson herë pas here në analizat e tij, se performancat momentale të politikanëve apo sportistëve, që shoqërohen me rritje momentale të kuotave të tyre në opinionin publik, rezultojnë përgjithësisht jo afatgjata. Ai përdor metaforën e kokrrave të ulëta të pemës për kësi rastesh, sipas së cilës, votuesit/sportdashësit më të ndjeshëm emocionalisht ndikohen nga një performacë e momentit, dhe japin vlerësime maksimale për politikanin/sportistin që e ka realizuar atë performancë.


Por kokrrat e ulëta të pemës (që mblidhen me një të zgjatur të dorës) janë të prirura të thartohen më shpejt, thekson Silver. Sapo politikanët apo sportistët fillojnë të mos japin rezultate sipas pritshmërive të rritura të votuesve, këta të fundit fillojnë t’i shajnë.

E bëra këtë hyrje të gjatë, sepse në sondazhin periodik që zhvillova këto ditë, më rezultonte se Edi Rama e kishte rritur ndjeshëm epërsinë e tij ndaj Bashës në periudhën pas tërmetit të 26 nëntorit.  Në fakt, në sondazhin e fundit kisha një pyetje specifike për tërmetin (A mendoni se punët mund të shkonin më mirë pas tërmetit të 26 nëntorit me Ramën kryeministër apo me Bashën kryeministër?). Sidoqoftë, rezultatet janë në thelb të krahasueshme me sondazhet e muajve para tërmetit, ku pyetja ishte më e përgjithshme (A mendoni se, përgjithësisht, punët në Shqipëri mund të shkojnë më mirë me Ramën kryeministër apo me Bashën kryeministër?)

Në muajt para tërmetit të 26 nëntorit, raporti i kuotave Rama-Basha ndër pjesëmarrësit e mundshëm në zgjedhje luhatej në nivelin 60% me 40%. Ndërsa pas tërmetit shkoi në nivelin 71% me 29%. (Ndërkohë, epërsia e votave të PS-së ndaj PD-së pothuaj nuk u rrit – mbeti sa ç’ka qenë në zgjedhjet e 2017-ës.)

Liderë të ndryshëm botërorë kanë regjistruar rritje të kuotave të tyre personale në sondazhe pas tragjedive të mëdha natyrore apo njerëzore, por në përgjithësi, e kanë patur të vështirë t’i ruajnë ato kuota pas kalimit të fazës së emergjencës. Votuesit emocionalë (kokrrat e ulëta të pemës elektorale, sipas Silver) rikthehen në normalitetin e përditshëm, ku liderët nuk janë gjithmonë të aftë t’i mbajnë premtimet e bëra “në të nxehtë”.

Edi Rama ka premtuar se të dëmtuarit nga tërmeti do të rikthehen sa më shpejt në normalitet, pa cenuar buxhetin e shtetit. Argumenti kryesor që ka dhënë për këtë premtim bazohet tek efekti që do ketë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (e për rrjedhojë edhe në të ardhurat nga tatimet) ndërtimi i 5 lagjeve të reja për strehimin e banorëve të pastrehë, si dhe aktiviteti i rindërtimit/riparimit në përgjithësi.

Në fakt, ndërtimi i banesave është një aktivitet që e ka zakonisht efektin multiplikativ 3.1 në PBB (e për rrjedhojë në punësim e tatime), ngaqë i ka të forta efektet dytësore e tretësore, përveç efektit parësor të drejtpërdrejtë. Por nga përcaktimi i sheshndërtimeve, projektimi, financimi, ndërtimi, e deri tek mobilimi i pallateve të reja, mund të kalojë shumë kohë. Ndërkohë kronikat televizive do të tregojnë banorë të pastrehë që flenë nëpër hotele, rulotë apo çadra, si dhe fëmijë që shkojnë në shkolla të adoptuara përkohësisht. Për më tepër, opozita dhe mediat pranë saj do të flasin për “oligarkë pranë kryeministrit, që po përfitojnë nga programi gjigant i rindërtimit”.

Dhe kështu, ata votues emocionalë që janë ndikuar thjesht nga premtimet dhe performanca e Ramës në ditët pas tërmetit mund të kthehen në “kokrra të thartuara elektorale”.

Një strategji më e mirë (si elektorale edhe sociale) do të kishte qenë ajo që sugjeruan disa ndërtues, të cilët i deklaruan Ramës se kanë shumë apartamente të pashitura, të cilat mund t’i vënë menjëherë në dispozicion të të pastrehëve të tërmetit (kundrejt një çmimi të arsyeshëm, të financuar nga shteti). Në këtë rast, qeveria mund ta përqëndronte aktivitetin e saj rindërtues në riparimin dhe rregullimin e zonës së plazheve të Durrësit e të Golemit para fillimit të sezonit veror, ndërkohë që ndërtuesit me probleme riparojnë pallatet e dëmtuara (që i kanë ndërtuar vetë).

Në këtë mënyrë, të pastrehët do të strehoheshin përfundimisht shumë më shpejt, ndërkohë që motori i ekonomisë së qarkut Durrës do të ishte gati të kontribuonte përsëri në PBB, punësim e tatime, qysh me fillimin e sezonit të ri turistik…




Skip to toolbar