PD rinis akuzat politike: Tragjedia e Thumanës, e paralajmëruar

POLITIKË


Solidarizimi dhe shmangia e akuzave politike për gati 2 javë u erdhi fundi dhe Partia Demokratike ka nisur me sulmet duke akuzuar qeverinë se tragjedia e ndodhur në Thumanë ishte e paralajmëruar. Selia blu ka reaguar përmes Gazment Bardhit, i cili akuzon qeverinë se po mbulon me spektakël propagandistik tragjedinë në Thumanë ku humbën jetën 24 persona, pasi pallatet e shembura ishin prekur që nga tërmeti i 21 shtatorit. Sipas Bardhit, provohet edhe nga deklaratat kontradiktore të zëvendëskryeministrit Erion Braçe dhe kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushin nëse pallatet e prekura ishin të banueshme apo jo pas goditjes së parë më 21 shtator 2019.

“Ka një përpjekje kriminale të Qeverisë për të lënë në harresë viktimat e 26 nëntorit dhe për t’i mbuluar ato me spektakël të pashpirt propagandistik. Ka një përpjekje të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij për të fshehur të vërtetën se tragjedia e Thumanës ka qenë e paralajmëruar! 2 ditë pas tërmetit, Erion Braçe dhe Artur Bushi japin 2 përgjigje të ndryshme, nëse pallatet ishin shpallur apo jo të banueshme pas 21 Shtatorit. Kjo do të thotë se ata po fshehin të vërtetën, po përpiqen ta shtrembërojnë për të shpëtuar nga përgjegjësia.


Për të bërë drejtësi për 24 njerëzit që humbën jetën nga shembja e dy pallateve, Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht përgjigje për masat e marra për sigurinë e banorëve nga qeveria dhe Bashkia e Krujës pas tërmetit të 21 Shtatorit. Deri tani, qeveria ka heshtur dhe është fshehur pas spektaklit kriminal të kreut të saj, i cili nuk kursen as fëmijët e mbijetuar. Ne nuk do të heshtim derisa të bëhet drejtësi për viktimat e 26 Nëntorit”, shprehet Bardhi.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, Lulzim Basha tha se nuk ishte momenti për të bërë politikë duke u kërkuar të gjithë strukturave të saj që fokusin kryesor ta kishin tek banorët e prekur dhe të mos e shfrytëzuar ngjarjen për politikë. Jetëgjatësia e urdhrit ka zgjatur vetëm 2 javë, ndërsa qeveria ka urdhëruar nisjen e hetimeve pas tërmetit tragjik për të parë nëse ka pasur abuzime me pallatet e shembura, ku humbën jetën 51 persona.




Skip to toolbar