Zaloshnja: Zbutje e karantinës në javën e tretë të prillit?

CORONAVIRUS


Nga Eduard Zaloshnja

Me vendosjen e karantinës ndaj dallgës pandemike COVID-19, vetëm shërbimet dhe veprimtaritë prodhuese më thelbësore kanë vazhduar të funksionojnë në Shqipëri. Por karantinës duket se po i afrohet fundi. Sidoqoftë, OBSH-ja këshillon që zbutja e karantinës duhet të bëhet graduale, jo brenda një dite.


Zbutja e karantinës, sipas OBSH-së, duhet të fillojë vetëm pasi të mos ketë më raste të reja konfirmuara me COVID-19. Fillimisht duhen lejuar aktivitete ku nuk mblidhen shumë njerëz pranë njëri-tjetrit. 

Sipas një modeli statistikor të Institutit Einaudi (të ndërtuar në fund të marsit), dita e parë pa raste të konfirmuara rishtas me COVID-19 në Itali do të jetë diku nga 8 maji (plus/minus 5 ditë). Ndërsa sipas një modeli statistikor të Institutit ACG (të ndërtuar në fund të marsit), dita e parë pa raste të konfirmuara rishtas në Greqi do të jetë diku nga 17 prilli (plus/minus 4 ditë). Ndërkaq, nga një kombinim i algoritmeve të mësipër (që i përshtata me të dhënat zyrtare të deriatëhershme për Shqipërinë), parashikova për Real Story të Sokol Ballës se dita e parë pa raste të konfirmuara rishtas tek ne do të jetë diku nga 15 prilli (plus/minus 3 ditë).

Në fakt, grafikët 1, 2 dhe 3 demostronjnë se trendi zyrtar i ditëve të fundit në Itali, Greqi e Shqipëri po ndjek pak a shumë trendin e parashikuar nga modelet statistikorë përkatës. Në qoftë se ky trend vazhdon edhe në ditët në vijim, qeveritë e tre vendeve duhet të vlerësojnë se cilat aktivitete mund të lejohen pasi të mos ketë më raste të reja të konfirmuara me COVID-19.

Një ndër aktivitetet që mund të lejohet (pa rrezik të lartë) mund të jetë futbolli i luajtur pa tifozë, por i transmetuar në televizion. Në fakt, klubet e Bundesligës gjermane kanë filluar stërvitjen në fushat e tyre me grupe 5-6 futbollistësh, për të kaluar më vonë në stërvitje të plota dhe në ndeshje pa tifozë (gjithnjë duke u kujdesur më shumë se zakonisht për higjenën personale të futbollistëve e stafit teknik) .

Të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe klubet tona të futbollit në ditët në vijim, në mënyrë që të jenë gati të zhvillojnë ndeshje pasi të mos ketë më raste të reja të konfirmuara me COVID-19. Pavarsisht se ndeshjet pa tifozë dhe me kujdes ekstra për higjenën mund të mos jetë aq emocionues sa derbi i fundit i kryeqytetit, vetë rifillimi i kampionatit dhe transmetimi i tij në televizion do të ishte një shenjë e rikthimit në normalitet. Një normalitet që po na mungon shumë nga ana psikologjike… 




Skip to toolbar