Zbehen shanset për të drejtuar Brazilin, Ancelotti pranë rinovimit me Realin

Më të fundit


Dukej sikur gjithçka ishte mbyllur me sukses dhe tekniku Carlo Ancelotti do të merrte drejtimin e kombëtares së Brazilit.

Një nga trajnerët që ka fituar më shumë trofe, do të drejtonte një numër të madh kampionësh në stolin e kombëtares që karakterizohet nga loja e bukur, plot fantazi. Por duket se tashmë situata është komplikuar, që pas largimit të presidentit të federatës braziliane, Ednaldo Rodrigues, që ishte një admirues i madh dhe “sponsori” kryesor i Ancelottit.


Ndërkohë nga Spanja vijnë lajme se tekniku italian së shpejti do të ulet me presidentin e Realit të Madridit Florentino Perez, për të diskutuar rinovimin e kontratës që skadon në qershor të vitit 2024. Sigurisht që rezultatet e këtij sezoni do të kenë një rëndësi të madhe, por duket qartë që palët kanë dëshirë që të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin. Madje sipas “Marca” ka një sintoni totale mes trajnerit, lojtarëve, tifozëve dhe veçanërisht drejtuesve të Realit të Madridit.

Gazeta e njohur spanjolle shton se “tekniku dhe presidenti flasin shpesh, por deri më tani nuk ka pasur asnjë hap konkret për të ardhmen. Në ditët në vazhdim pritet që të ketë një mbledhje ku të diskutohet rinovimi i kontratës së teknikut”. Ancelotti ka dëshirë që të qëndrojë në Madrid, aty ku ka arritur të fitojë 2 Champions League dhe disa trofe të tjerë në krye të Realit.




Skip to toolbar