Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi sot në një konferencë të përbashkët për shtyp me drejtorin e Shell, se është zbuluar naftë në zonën e Shpiragut në Berat.
Ministrja tha se ky është një lajm mjaft i mirë për Shqipërinë pasi ndikon drejtëpërdrejtë në hapjen e vendeve të reja të punës, në rritjen e punësimit, si dhe në rritjen ekonomike në tërësi.
Menjëherë pas këtij lajmi, ministrja tha se kompani të tjera kanë shprehur shprehur që tani interesin e tyre për të ardhur në Shqipëri.
“Unë do desha që të kalonim më në detaje pasi është një ditë e shënuar për industrinë e naftës dhe gazit, por edhe dhe një ditë e shënuar për rritjen ekonomike të vendit. Pas disa vitesh aktiviteti kërkues dhe vlerësues në Shqipëri, kompania SHELL Abstream Albania, konfirmon potencialin e zbulimit të rëndësishëm të naftës në bllokun dy dhe tre në zonën e Shpiragut Berat.
Ky zbulim ka një rëndësi të veçantë pasi mund të jetë i pari i naftës në 30 vitet e fundit në Shqipëri. Kompania Shell ka qenë këmbëngulëse, në punimet e saj në pusin Shpirag 4, ku rezultatet e mëparshme kanë konfirmuar cilësinë e naftës së papërpunuar dhe ekzistencën e rezervave të mundshme të naftë, gjithashtu rezultatet e fundit konfirmojnë se struktura e rripit naftëmbajtës është me porozitet të lartë, duke nxjerrë naftën me lehtë dhe më pak të kushtueshme.
Ky zbulim i jep SHELL garanci për të vijuar punimet në Shpirag 3, e për të përfunduar më pas programin e vlerësimit. Në fund të fazës së vlerësimit, nëse pusi përbush pritshmëritë, SHELL do fillojë prodhimin në tregun e naftës dhe gazit në Shqipëri. Prodhimi aktual i naftës së papërpunuar, është 18 mijë fuçi në ditë, nga ky pus, potenciali është të prodhojë disa mijëra fuçi në ditë, gjë që vërteton rëndësinë e këtij zbulimi.
Ky zbulim do ketë implikime të rëndësishme ekonomike si për kompaninë edhe për vendin. Sipas marrëveshjes së hidrokarbureve Shqipëria përfiton pjesën e saj të prodhimit, rend minerare, pjesën e prodhimit, tatim fitimin që në fuçinë e parë. Do stimulohet punësimi, do rritet furnizimi me naftë në rafineritë vendase. Do krijojë standarde më të larta, konfirmimi i këtij zbulimi i hap rrugë investimeve të ardhme. Jemi në kontakte me kompani të tjera të mëdha që kanë shprehur interes për investime në të ardhmen, por sqaroj se jemi në fazat e hershme”, është shprehur në konferencën e sotme për shtyp ministrja, Balluku.