Kryeministri britanik Andy Burnham po kërkon të riafirmojë mbështetjen e Britanisë për Ukrainën teksa do të mirëpresë sot Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Downing Street.
Takimi vjen në një kohë tensioni në marrëdhëniet e Kievit me Uashingtonin, pas deklaratave të Presidentit të SHBA-së Donald Trump mbi nevojën për një ndryshim të lidershipit në Ukrainë dhe marrëveshjes së tij me Moskën për naftën ruse. Burnham pritet të njoftojë një përshpejtim të dërgesave të raketave kundërajrore dhe t’u bëjë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të rrisin presionin ekonomik mbi Rusinë.
Kryeministri britanik pritet të sigurojë Zelenskyn se Londra mbetet e përkushtuar fuqimisht për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës, veçanërisht përballë sulmeve të vazhdueshme ajrore ruse.
Në këtë kontekst, qeveria britanike planifikon të përshpejtojë dërgimin e raketave të lehta shumëfunksionale, të cilat përdoren për t’iu kundërvënë droneve me motor reaktiv rusë. Në të njëjtën kohë, Burnham ka bërë thirrje për përgatitjen e paketave shtesë të mbështetjes ushtarake dhe ekonomike, si dhe sanksioneve të reja kundër Moskës.
Qëllimi i Londrës është të rrisë presionin mbi Presidentin rus Vladimir Putin në mënyrë që Moska t’u përgjigjet thirrjeve për të ndaluar sulmet ndaj objekteve energjetike. Qeveria britanike po u kërkon gjithashtu partnerëve të saj ndërkombëtarë të forcojnë sanksionet, me theks në kufizimin e eksporteve të energjisë ruse.
Vizita e Zelensky në Londër vjen vetëm disa ditë pas përballjes së tij të fundit publike me presidentin e SHBA-së. Të shtunën, Trump tha se ishte koha që Ukraina të “agjidhte një president të ri”, duke vënë në pikëpyetje lidershipin e Zelensky në një moment veçanërisht kritik të luftës.
Deklaratat pasuan marrëveshjen e Uashingtonit me Moskën për të furnizuar naftë ruse, pavarësisht sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë. Ky veprim shkaktoi reagime të forta në Kiev dhe kryeqytetet evropiane, pasi ka frikë se do të rrisë të ardhurat e ekonomisë ruse.
Qeveria britanike është distancuar nga iniciativa e SHBA-së, duke e bërë të qartë se nuk mbështet lehtësimin e kufizimeve ekonomike ndaj Moskës dhe se aleatët duhet të vazhdojnë presionin mbi Rusinë.
Përpara takimit, Kryeministri britanik i dërgoi një mesazh të qartë Kievit, duke përsëritur angazhimin e qeverisë së tij për mbështetje afatgjatë për Ukrainën.
“Mesazhi im për popullin ukrainas nuk mund të jetë më i qartë se kaq: ne jemi me ju për aq kohë sa të duhet”, tha Burnham, duke theksuar vendosmërinë e Britanisë për të vazhduar mbështetjen e përpjekjeve ukrainase për mbrojtje.
Të dy udhëheqësit kishin folur në telefon të shtunën, kur Burnham shprehu solidaritetin e tij të plotë me Ukrainën. Gjatë bisedës së tyre, ata diskutuan nevojën për të mbajtur presionin mbi Moskën dhe ranë dakord të takoheshin për të shqyrtuar hapat e mëtejshëm në bashkëpunimin e tyre.


