Në Greqi janë publikuar “exit poll-et” e para për zgjedhjet e trefishta që janë mbajtur sot. Ndryshe nga vendet e tjera të Europës, qytetarët grekë kanë votuar sot për zgjedhjet e përgjithshme vendore, lokale dhe ato për Parlamentin Europian. Vëmendja kryesore lidhet pikërisht me këto të fundit, ku duket se të gjitha sondazhet paraprake nxjerrin fitues opozitën konservatore greke me në krye Kyriakos Mitsotakis me partinë “Demokracia e Re”.
Të dhënat nga sondazhet i japin Mitsotakis-it 32-36% të votave, ose 8-9 vende në Parlamentin Evropian. Ndërkohë, SYRIZA e Alexis Cipras parashikohet të marrë 25-29% të votave duke siguruar gjashtë ose shtatë vende në Parlamentin Europian.
Sondazhet thonë se aleanca e qendrës së majtë, Lëvizja për Ndryshim do të grumbullojë midis 7 dhe 9% të votave, ose dy deri në tre vende, ndërkohë që edhe Agimi i Artë pritet të ketë të njëjtin numër vendesh në PE. Edhe Partia Komuniste Greke duket se do të ketë një ose dy vende në Parlamentin e ri Europian, që do të dalë nga zgjedhjet e përgjitshme të mbajtura katër ditët e fundit në të gjithë Evropën.
Duke folur duke hedhur votën e tij në një lagje të Athinës, presidenti grek Prokopis Pavlopulos i përshëndeti zgjedhjet si një mundësi për grekët “për të provuar se si jemi europianë”.
Për kryeministrin e majtë Alexis Tsipras, i cili votoi në rrethin e Athinës në qendër të qytetit, votimi ishte një mundësi për qytetarët që të “mbrojnë sakrificat dhe përpjekjet e popullit grek” duke votuar në favor të SYRIZA-s, për të miratuar “programin e qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike”. Kreu i Demokracisë së Re Kyriakos Mitsotakis shprehu besimin se “një ditë e re do të agojë për vendin tonë” të hënën në mëngjes”.