Meta nxjerr teorinë “President i Përkohshëm”: Iki, po të vijë Mejdani

POLITIKË


Kreu i shtetit, rreth 30 minuta para se të dilte në konferencë për shtyp paralajmëroi se do të jepte zgjidhjet e tij për krizën dhe në takimin me gazetarët, ndërsa ka folur për “zgjedhje presidenciale”, një nocion që nuk ekziston në Kushtetutën dhe ligjet shqiptare, ka nxjerrë një teori të ri, ku ka kërkuar “President të Përkohshëm”.

Teorinë e tij e bëri publike, kur ai u shpreh se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen, nëse Rama do të pranonte zgjedhje presidenciale, pasi sipas tij, 13 tetori është një mundësi për të gjithë ata që mendojnë se Presidenti me qëndrimin e tij ka dëmtuar unitetin e popullit shqiptar dhe iu ka hequr të drejtën qytetarëve shqiptarë të ndëshkohet nga qytetarët shqiptarë me votën e tyre të lirë dhe demokratike. “Sa i takon presidentit, ajo që mund të bëjë është shumë e thjeshtë, që ka bërë gjithmonë sa herë vendi ka qenë në situata të tilla, të japë shembullin personal. Nuk do që të bëhen zgjedhje parlamentare më 13 tetor, do bëjmë zgjedhje presidenciale, s’ka asnjë shqetësim bashkë me zgjedhjet vendore. Jo vetëm kaq sepse Presidenti është edhe më i hapur pasi nuk ka frikë nga vota e qytetarëve shqiptarë që në rast se kërkon kryeministri, të lërë edhe detyrën e Presidentit, gjithmonë duke konkurruar në 13 tetor, por vetëm me një kusht që në këtë zyrë të vijë një njeri me shumë integritet, i cili ka qenë në këtë zyrë dhe ka provuar se mbrojtja e interesit kombëtar e publik është mbi çdo gjë tjetër dhe që nuk e ha shantazhin e presionin, siç është profesor Rexhep Mejdani. Kjo është krejtësisht e zgjidhshme”, deklaroi Meta.

Pra, sipas tezës së Metës, ai pranon të japë dorëheqjen, duke zgjedhur në krye të shtetit përkohësisht Mejdanin, pastaj të bëhen zgjedhje presidenciale më 13 tetor dhe kush t’i fitojë ato të zgjidhet President i Republikës, duke hequr sërish Mejdanin nga funksioni. Madje, kreu i shtetit e cilëson gjithë këtë aventurë diçka krejtësisht të zgjidhshme, ndërsa një zgjidhje të tillë nuk e gjen në asnjë nen të Kushtetutës, akti themeltar i vendit, të cilin Presidenti i Republikës pretendon se po e mbron aq shumë. Madje, vihet re se pikërisht për të çuar deri në fund ambicien e tij pabazë për zgjedhje presidenciale, kreu i shtetit rrëzon edhe teoritë e tij për papranueshmërinë e “të përkohshmëve”, siç ka kundërshtuar Prokurorin e Përkohshëm, apo siç kundërshtoi edhe EURALIUS për propozimin për anëtarë të përkohshëm të Gjykatës së Lartë, veprime, të cilat kanë bazë ligjore, por që janë kundërshtuar politikisht.

Tashmë, Meta kërkon të kundërtën, vetëm për të mbrojtur veten nga shkarkimi, ai kërkon që në mbrojtje të vetes, të ketë marrëveshje politike, por le mos të ketë bazë ligjore, ashtu siç shprehet edhe në fjalët për vendimin e 30 qershorit, ku paralajmëron se nuk do e njohë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nëse ajo do rrëzojë dekretin për anulimin e 30 qershorit, duke pretenduar se tashmë kjo datë ka kaluar dhe Gjykata Kushtetuese nuk mund të ketë fuqi prapavepruese. /Realstory



Skip to toolbar