Zgjedhjet/ Procedohet penalisht Flamur Noka, Policia: Akuza, kanosja e dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje

AKTUALITET


Policia e Tiranës ka proceduar penalisht Sekretarin e Partisë Demokratike, Flamur Noka, pas incidentit që ndodhi në mesditë me disa votues në një qendër votimi në Vorë. Dy prej tyre e kallëzuan penalisht për kanosje dhe pengim për të votuar.

Incidenti u bë publik me zë dhe figurë, ku Noka shfaqej agresiv madje edhe duke kërcënuar votuesit. Të paktën 2 vepra penale të lidhura me procesin zgjedhor, “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”; Pengimi i zgjedhësit”, dukeshin qartazi në qendrën e votimit, kur Noka ishte i shoqëruar edhe nga Albana Vokshi.

Megjithatë, oficerët e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Tiranës, pas komunikimit me prokurorin, kanë bërë referimin vetëm me akuzën e “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, duke proceduar në gjendje të lirë Flamur Nokën. Procedimi ka nisur në bazë të kallëzimeve të dy shtetasve që Noka i ka penguar dhe kanosur për të ushtruar të drejtën e votimit.

Në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës thuhet se materialet proceduriale do t’i referohen SPAK-ut për hetime të mëtejshme. SPAK merr kompetencë të zgjeruar kur veprat penale të lidhura me zgjedhjet kryhen nga: Zyrtarë të lartë publikë; Organizatë kriminale; Grup i strukturuar kriminal; Bandë e armatosur; Organizatë terroriste.

Rasti i Vorës, të paktën me aq sa është publikuar, është kompetencë e SPAK, duke qenë se Flamur Noka është zyrtar i lartë publik. Por se çfarë do të dalë nga hetimet tashmë do të vendoset nga Prokuroria e Posaçme.

Ndërsa nga ana tjetër, nisur nga pretendimet e Partisë Demokratike, KQZ u hoqi akreditimin të gjithë vëzhguesve të KZAZ nr.27 në Vorë.



Skip to toolbar