Zguri është kundër, PS kërkon mandatet e këshillave në Kolegj

POLITIKË


Partia Socialiste ka dërguar në Kolegjin Zgjedhor 4 padi, ku kërkon shpërndarjen e mandateve për këshilltarët bashkiakë të dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit. Padia e PS vjen pasi KQZ-ja e ka të pamundur të shpërndajë mandatet për këshilltarët bashkiakë, pasi kërkohet shumicë e cilësuar votash të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjë që për momentin nuk është e mundur.

Shkaku është Klemt Zguri, i cili në të gjitha rastet ka votuar kundër shpërndarjes së mandateve, pasi kreu i KQZ nuk e njeh 30 qershorin si datë të ligjshme zgjedhjesh, duke respektuar dekretin e Ilir Metës. Aktualisht, PS kërkon nga Kolegji Zgjedhor shpërndarjen e mandateve në katër bashki: Ura Vajgurore, Konispoli, Devolli dhe Kuçova.

Ky veprim i PS vjen pasi kryetarët e rinj të bashkive të zgjedhur në 30 qershor, nuk mund të marrin dot mandatin e kryetarit pa bërë  betimin në Këshillin Bashkiak. Rrjedhimisht, Partia Socialiste do të kërkojë nga Kolegji Zgjedhor shpërndarjen e mandateve për të gjitha bashkitë e vendit, me qëllim që të përmbyllet gjithë procesi elektoral i 30 qershorit dhe kryetarët e rinj të marrin mandatin e tyre.

Një situatë e ngjashme si kjo tani ka ndodhur në 2011, kur Kolegji Zgjedhor bëri certifikimin e mandateve për këshilltarët e zgjedhur të bashkisë së Tiranës. Sipas Kodit Zgjedhor, certifikimi i këshillave bashkiakë është i vlefshëm kur votojnë ‘pro’ jo më pak se 5 anëtar të KQZ-së. Kështu, në mungesë të shumicës absolute, pasi Klement Zguri voton kundër, Partia Socialiste është e detyruar të kërkojë shpërndarjen e mandateve nga Kolegji Zgjedhor.



Skip to toolbar