Ministria e Mbrojtjes ka informuar mbi situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar gjithsej 35 vatra zjarri. Sipas të dhënave zyrtare, 5 vatra mbeten aktive, ndërsa 3 të tjera janë nën kontroll.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura, me 90 efektivë dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat kryesore
Dajt, Tiranë – Vijon puna për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra e zjarrit në Priskë është nën kontroll.
Lufaj, Mirditë – Vatra vijon të jetë aktive, me intensitet të ulët. Forcat operacionale po vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Tërbun–Gjegjan–Gojan, Pukë – Situata në sipërfaqet pyjore të Tërbunit është përmirësuar, ndërsa vatrat në Gjegjan dhe Gojan vijojnë aktive. Gjatë operacionit është evakuuar një familje dhe, falë ndërhyrjes së forcave në terren, është shmangur rreziku për banesën. Operacioni sot mbështetet nga 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë.
Gjorm i Sipërm, Malësi e Madhe – Vijon puna për shuarjen e vatrës së riaktivizuar, ku janë angazhuar 2 automjete zjarrfikëse dhe 6 efektivë të MZSH-së.
Tunjë e Re, Gramsh – Forcat operacionale vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e zjarrit. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, Gurë-Lura mbetet nën kontroll pas shuarjes së zjarrit, ndërsa në Qafë Helmes vijon puna e forcave operacionale, pa rrezik për zonat e banuara.
Sipas Ministrisë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
