Kërcënoi prishësit e zgjedhjeve për ndalim lëvizjeje. PS “tërhiqet”

Më të fundit


Mazhoranca është tërhequr pas dy muajsh nga ndryshimi thelbësor që do të bënte në Kodin Penal për krimet zgjedhore, ku ishte parashikuar se kushdo që kryente krimeve zgjedhore do i ndalohej udhëtimi 5-10 vite në vendet e BE dhe SHBA. Propozimi i bërë nga deputeti Bushati ishte kryefjala e kryeministrit në takimet elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, por në seancën e fundit parlamentare për këtë sesion, ku pritej miratimi i këtij propozimi, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka njoftuar se ky grup ka vendosur që ky ndryshim të diskutohet në një kohë tjetër.

“Amendamenti i propozuar nga Zoti Bushati lidhur me penalizimin e përkohshëm deri në dhjetë vite të kujtdo që kryen krim zgjedhor, lidhur me një politikë të re, dimension që nuk e kemi vetëm ne, por e kanë shumë vende atë të ndalimit të udhëtimit jashtë vendit, në respekt padyshim edhe të konsultimit me deputetët e opozitës, kemi menduar që ky amendament të mos votohet sot, të jetë pjesë e një diskutimi më të gjerë të një politike të re penale që duhet të zhvillojmë Shqipërinë me dënime alternative, se ndoshta nuk është vetëm burgu dënimi që i bën njerëzit të thërrasin mendjen dhe të tërhiqen”, deklaroi Balla nga foltorja e Kuvendit.


Ky vendim mësohet se është marrë në mbledhjen e Kryesisë së PS të mërkurën, me argumentin se krimet zgjedhore kryhen kryesisht nga drejtuesit e partive politike dhe jo nga qytetarët e thjeshtë dhe për politikanët, penalizimi është i rregulluar me një tjetër ligj. “Dua t’u them që edhe në kuadrin ekzistues, ne kemi ligje të tjera që kanë rregulluar këtë politikë sepse dhunën zgjedhore nuk e bëjnë njerëzit e thjesht, dhunën zgjedhore, edhe në një përpjekje të dështuar që parapriu 30 qershorin, e bëjnë politikanët e dështuar. Për ata politikanë të dështuar që duan të bëjnë dhunë zgjedhore, ne kemi ligjin për dekriminalizim, i cili e ka sanksionuar qartë se kush dënohet për krim zgjedhor nuk kandidon dot më. Kjo është mënyra më e mirë për të garantuar se kush bën krime elektorale nuk mund të jetë edhe i zgjedhur nga populli”, u shpreh deputeti Balla, ndërsa paralajmëroi se në shtator do të fillojë diskutimi për një Kod Elektoral, ku do të përfshihen edhe dënimet për krimet zgjedhore. Sipas tij, ky kod elektoral respekton rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Komisioni Ligjeve pranoi dhe votoi pro amendamentit të deputetit Ervin Bushati për ndryshimet në Kodin e procedurës Penale për krimet zgjedhore më 19 qershor, ndërsa të enjten është hequr nga rendi i ditës në Parlament. Deputeti socialist ka kërkuar ashpërsimin e Kodit Penal, duke shtuar se personi që cenon zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratike, do t’i ndalohet dalja jashtë territorit të Shqipërisë për 5-10 vjet. Një gjë e tillë është trumbetuar nga kryeministri Edi Rama, por edhe nga aktorë të tjerë të mazhorancës, qoftë deputetë ose kandidatë për bashkiakë, gjatë takimeve elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, ku përsëriti se nuk do lejohet të dalin nga vendi 5-10 vite kush kryen krim elektoral.

Megjithatë, Realstory.al paralajmëroi se dënimet e propozuara nuk përfshinin zgjedhjet e 30 qershorit, pasi nuk kishin fuqi prapavepruese. Madje, një zbutje e mazhorancës për krimet elektorale dhe dhunën në protesta u vërejt edhe pas sulmeve ndaj KZAZ-ve, ku nga njëra anë Ministria e Brendshme deklaronte se dhunuesit do të përballeshin me dënime të ashpra, ndërsa nga ana tjetër u tërhoq nga disa KZAZ, duke e cilësuar tërheqjen si taktikë për të mos pasur përplasje të policisë me qytetarët.




Skip to toolbar