Me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, presidenti i vendit, Bajram Begaj përcolli sot një mesazh përmes të cilit thekson se 1 prilli i vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme.
“Data e 1 prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë.
Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare
Mirënjohës ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve, të cilët mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi”, shkruan Begaj në mesazhin e tij.
Sipas Begajt, në këto 15 vite Shqipëria në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin dhe hapësirën Euroatlantike.
Ai shton se Shqipëria do të të vijojë të jetë e palëkundur për të mbrojtur lirinë dhe kontributin për një botë në paqe.
“Shqipëria në këto 15 vite në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike.
Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje.
Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe”, thekson më tej Begaj.