33 vite PS, Veliaj mirënjohje socialistëve të vjetër: 5000 anëtarë të rinj, garanci për një forcë që ka të ardhme; jemi forca që sjell ndryshimin

Më të fundit


Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj nisi sot një tur në çdo njësi të kryeqytetit, për t’u takuar dhe uruar anëtarët e Partisë Socialiste për 33-vjetorin e themelimit të partisë.

Ndalesa e parë ishte ajo në Njësinë 2, ku Erion Veliaj shpërndau edhe certifikata mirënjohje për 16 anëtarë, të cilët vijojnë të japin kontributin e tyre në PS.


“Pesë mijë anëtarë të rinj janë një garanci se kemi një të ardhme, se duar energjike, mendje kreative, zemra të mëdha, do të vazhdojnë punën që ka nisur në PS, sidomos ata 15-16 veta që nderojmë sot dhe që i kanë shërbyer PS për 33 vjet, nga dita e parë e deri më sot. Unë besoj se në një familje mbi të gjitha vjen mirënjohja. Kush angazhohet në një skuadër të madhe, në një organizatë politike, në një familje si kjo e jona, angazhohet për të bërë gjëra përtej vetëm rrethit të ngushtë të familjes së vet, fisit të vet ose shtëpisë së vet”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se PS ka treguar në vijimësi se ka vullnetin dhe forcën për të sjellë transformimin në jetën e qytetarëve.

“Vetëm një parti politike, sidomos një parti politike si PS, ka treguar se është instrumenti që demokracia na ka dhënë në dorë për të ndryshuar realitetin, jo si metaforë, por realitetin fizik që shohim rreth e rrotull nesh, duke filluar nga ky stadium, nga ajo Piramidë, nga shkolla ‘Kosova’, nga shkolla ‘Bashkim Fino’. Sigurisht, ka ende shumë punë për të bërë. Dua t’iu kujtoj njerëzve se këto gjëra nuk i bën Zana e Malit, është një forcë që quhet PS, që bën shkollën Kosova, shkollën ‘Bashkim Fino’, Piramidën, Stadiumin, sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri, Shkollën e Baletit, Liceun. Pra, është një forcë politike, një grumbullim vullnetar njerëzish, idealistë, pasionantë, të aftë, energjikë, të mençur dhe që e duan këtë vend dhe që çdo ditë lënë nga një shenjë për ta bërë Shqipërinë dhe sidomos Tiranën tonë, edhe më të mirë”, theksoi Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Teksa shprehu besimin në përsëritjen e suksesit edhe në zgjedhjet e radhës parlamentare, Drejtuesi Politik i PS u shpreh se sot fitorja për socialistët është më e lehtë, pasi kanë mundësi që të tregojnë realitete të transformuara.

“Shumë nga ata që do të nderojmë sot i kanë shërbyer kësaj partie kur nuk ishim në pushtet. Sot mund t’i injorosh ata që djegin goma dhe pështyjnë rrugëve sepse kemi besimin e njerëzve dhe kemi mundësi të tregojmë realitete të transformuara. Por atëherë ka qenë e vështirë; atëherë ti promovoheshe dhe bëje karrierë po të kishe rrëmbyer një socialist, po të kishe rrahur një socialist, po të kishe goditur një socialist. Nuk i kemi harruar ato ditë. Ndaj, edhe një respekt të jashtëzakonshëm për të gjithë ata që në ditët më të vështira e mbajtën familjen tonë të fortë, bashkë, optimiste, për të mbërritur tek kjo ditë ku jemi fitimtarë dhe mund të ecim përpara”, u shpreh Veliaj.




Skip to toolbar