Është arrestuar shoferi i dyshuar si shkaktar i aksidentit tragjik të së hënës në rrugën Elbasan-Peqin ku mbetën të vdekur 4 persona dhe u plagosën dy të tjerë. Në pranga ka rënë shoferi me iniciale G.K, 36 vjeç, i cili duke drejtuar mjetin tip “Seat” ka dalë nga rruga duke përfunduar në korsinë tjetër, e duke u bërë shkak që në aksident të përfshiheshin edhe dy makina të tjera.
Shoferi i arrestuar do të përballet me veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Policia njofton se 36 vjeçari ka qenë duke drejtuar mjetin tip “Seat” dhe si rezultat i lagështirës në rrugë ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe për pasojë ka dalë në korsinë tjetër të lëvizjes, ku është goditur nga mjeti tip “Skoda”, me drejtues shtetasin O. Sh., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Më pas ky mjet është goditur nga mjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin E. R., 32 vjeç, banues në Fier dhe për pasojë kanë humbur jetën pasagjerët që ndodheshin në mjetin tip “Seat”, shtetaset: F. A., 64 vjeçe, banuese në Gramsh, J. K., 30 vjeçe, banuese në Tiranë, F. H., 69 vjeçe, banuese në Cërrik, L.H., 57 vjeçe, banuese në Cërrik, si dhe mbeten të plagosur 2 drejtuesit e mjeteve, shtetasit G. K., dhe O. Sh., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
