5 vjet burg po dhunove mjekët

Më të fundit


Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njohur qytetarët në një takim konsultativ, me ndryshimet më të fundit në Kodin Penal, ku është parashikuar burgosje deri në 5 vjet burg për ata persona që dhunojnë mjekët.

Në fjalën e saj Manastirliu bëri thirrje që qytetarët të denoncojnë rastet e korrupsionit në shëndetësi.

 “Në Kod, do të parashikohet për herë të parë që dhuna ndaj profesionistëve të shëndetit është e dënueshme nga 1 deri në 5 vite lirie. Gjithashtu, parashikohet një rëndim i dënimit për kanosjen e mjekut, duke shtuar një paragraf të ri në ligj që dyfishon dënimin për kanosjen e tyre. Shtohet gjithashtu një nen i ri, kundravajtje penale për “pengimin e ushtrimit të detyrës së profesionistit shëndetësor”, çka do të ofrojë një mbrojtje shtesë për të gjithë personelin mjekësor”, tha Manastirliu.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që propozohet dhe do të ndërmerren, lidhet me ndarjen e gabimit mjekësor nga neglizhenca në mjekim.

 “Ka qenë një kërkesë e kahershme e komunitetit të mjekëve për dekriminalizimin e gabimit mjekësor. Me këto ndryshime është hequr si vepër penale gabimi mjekësor, por neglizhenca në mjekim dënohet në mënyrë të përshkallëzuar, në varësi të shkallës së dëmtimit të pacientit”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës së saj në bashkëbisedimin me mjekët, Ministrja e Shëndetësisë mbajti një qëndrim të prerë lidhur me korrupsionin e bluzave të bardha. Duke e konsideruar një fenomen që turpëron të gjithë armatën e bluzave të bardha, Manastirliu deklaroi zero tolerancë për korrupsionin në shëndetësi.

 “Unë jam në krah të çdo qytetari që denoncon, por edhe ju duhet të jeni në krah të çdo qytetari që denoncon dhe askush nuk mund të falet sepse përpos faktit që kryen një vepër të paligjshme, thellon hendekun mes jush dhe pacientëve”, tha Manastirliu.



Skip to toolbar