50 mijë euro gjobë biznesmenit, burg për dy të akuzuar, lirohet një tjetër

AKTUALITET


Tre ditë pasi u arrestuan në Durrës, Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg dy nga tre të arrestuarit, që akuzohen për gjobëvënie ndaj një biznesmeni në Durrës. Lulzim Zalla (person për të cilin policia u shpreh se është me rrezikshmëri të lartë) dhe Klodian Estrefi, do të qëndrojnë në qeli, ndërsa për Egi Shullazin është dhënë masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Këta tre persona dyshohet se i kanë vënë gjobë një biznesmeni, duke i kërkuar 50 mijë euro.

Në seancën e të shtunës, avokatët e të arrestuarëve, mësohet të kenë mohuar akuzat për klientët e tyre, duke treguar se ata nuk e kanë kërcënuar biznesmenin. Sipas avokatëve të tyre, biznesmeni ka qenë borxhli ndaj këtyre personave, por ata nuk e kanë kërcënuar.


 Ndërkohë, akuza ka pretenduar në seancën gjyqësore se ka përgjime për tre personat e dyshuar si gjobëvës duke kërkuar mbajtjen në burg për dy persona, ndërsa ndaj Egi Shullazit kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, pasi sipas prokurorit Behar Dibra nuk është e qartë nëse ai ka qenë i përfshirë në këtë vepër penale.

Gjatë operacionit të arrestimit të këtyre personave, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një shumë prej 5 mijë eurosh, e cila ishte vendosur si këst i radhës për t`u paguar nga biznesmenit me inicialet N.L.




Skip to toolbar