Lëvizte me makinë të blinduar, urdhri i ekzekutimi të Feriz Bardhit erdhi nga jashtë

AKTUALITET


Vrasja e Feriz Bardhit, të enjten e 1 gushtit, dyshohet se është porositur jashtë kufijve të Shqipërisë, saktësisht në Itali, ku 40-vjeçari ushtronte aktivitetin e trafikimit të drogës.

Prokuroria e Durrësit, pas ngjarjes ka shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje mes tyre familjarë dhe dëshmitarë të rastit për të arritur në një pistë hetimesh. Bardhi ishte përfshirë në trafikimin e kokainës në Itali dhe kishte krijuar përplasje dhe konflikte me trafikantët atje. Mungesa e konflikteve të tjera në Shqipëri i ka bërë hetuesit të përqendrohen në aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike.


Në 2012, 40-vjeçari ishte dënuar nga drejtësia italiane pasi ishte kapur me 700 gramë kokainë të pastër, që në treg do të kapte një vlerë prej 100 mijë euro. Droga u gjet në një makinë “BMË X6”, ku Bardhi ndodhej së bashku me Arif Qelinë, edhe ky i dënuar. Atëherë drejtësia italiane theksoi se Bardhi dhe Qelia nuk ishin shpërndarës të thjeshtë droge.

Konfliktet për trafikun e drogës në Itali, e kishin bërë edhe vetë Feriz Bardhin të shtonte masat e sigurisë ndaj tij, i cili kohët e fundit udhëtonte me një makinë të blinduar citon Panorama. Por kjo sërish nuk e ka mbrojtur atë, pasi autorët e kanë ekzekutuar pasi ka dalë nga makina, pranë derës së vilës së tij, që e kishte blerë së fundi.

Në zonë mungonin kamerat e sigurisë dhe për këtë arsye identifikimi i autorëve bëhet edhe më e vështirë. Ekzekutorët kanë përfituar nga mungesa e kamerave të sigurisë, e kanë lënë Bardhin të hyjë në portën e shtëpisë dhe më pas e kanë thirrur duke e qëlluar me 12 plumba. Sipas policisë automjeti që është përdorur nga autorët dyshohet të jetë mjeti i djegur në vendin e quajtur Ura e Gjolës në Fushë-Krujë, brenda së cilës janë gjetur edhe armë.

Prokuroria e Durrësit vijon hetimet intensive në lidhje me zbardhjen e ngjarjes dhe deri tani nuk ka ende asnjë të dyshuar në lidhje me autorët.




Skip to toolbar