50 milionë euro kokainë drejt Greqisë, zbulohen shqiptarët e arrestuar dhe “koka” e trafikut

AKTUALITET


Policia greke ka zbardhur aktivitetin e organizatës ndërkombëtare të trafikut të kokainës, anëtarët e së cilës u arrestuan mëngjesin e së shtunës në vendin e quajtur Astakos ne Mesologji të Greqisë. Emrat e të arrestuarve shqiptare janë Sandër Pema, Arbër Përdeda, Ergon Tusi, Erlin Zotaj, Lek Doda, Maksim Preçi. Gjatë një deklarate për shtyp, policia greke tha se shkatërrimi i kësaj organizate kriminale i dha një goditje fortë trafikut të kokainës në zonën e Ballkanit.

Kreu i organizatës është 41-vjeçari shqiptar Aleksandër Pemaj, një emër i njohur në botën e krimit në Greqi. Pemaj ka qenë edhe herë të tjera në burg, madje ai është dënuar disa herë nga drejtësia për vepra penale tepër të rënda. Ai ka qenë anëtar i bandës së Marian Kolajt, një i arratisur nga burgjet greke, i cili u ekzekutua prej policisë greke, gjatë një përleshjeje të armatosur në afërsi të kufirit shqiptar.


Hetimet lidhur me këtë organizatë kishin nisur prej 6 muajsh, mbas informacioneve të marra nga autoritetet amerikane, se një sasi e madhe droge do të nisej nga Republika Domenikane me destinacion Greqinë, dhe në vazhdim do të shpërndahej në Shqipëri dhe Spanjë.

Pasi u bë i mundur identifikimi i të dyshuarve, policia greke, në bashkëpunim më policinë spanjolle, atë shqiptare dhe autoritetet  doganore greke, i vunë ata nën survejim 24 orë në 24.

Përveç 8 të arrestuarve, janë identifikuar edhe disa shtetas shqiptare dhe arabë, të cilët aktualisht ende nuk janë arrestuar.

Prej hetimeve rezultoi se pagesa për drogën është distancuar prej një shtetasi arab, i cili konsiderohet së është një prej krerëve të organizatës, ndërsa pagesa është kryer nëpërmjet bankës nga një shtetas shqiptar me banim në Shqipëri.

Gjatë fazës finale, autoritetet pritën që ngarkesa të sistemohej në banesën në të cilën edhe u gjet prej policëve, ndërsa menjëherë janë arrestuar të gjithë anëtarët e saj që ndodheshin në Greqi. Të gjithë të arrestuarit ishin të skeduar prej policisë, edhe për ngjarje të tjera kriminale, madje të gjithë kishin kryer dënime në burgjet greke.

Në cilësinë e provës materiale prej 1181 kg kokainë e pastër, vlera e së cilës llogaritet në mbi 50.000.000 euro, u sekuestruan edhe shuma kesh  prej  231.000 euro,3 pistoleta,1 kallashnikov,5 autovetura dhe 19 celularë.

Kreu i policisë greke, tha se hetimet do të vazhdojnë, ndërsa priten edhe arrestime të tjera në Greqi,  Shqipëri dhe Spanjë.

Aleksandër Pemaj



Skip to toolbar