Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar në emisionin “Real Story” në ABC News zhvillimet pas protestës në Tiranë, duke pretenduar se tubimet kanë humbur karakterin fillestar studentor dhe se pas tyre qëndrojnë aktorë politikë.
Balla deklaroi se nga 51 personat e arrestuar ditën e parë nuk kishte asnjë student, ndërsa sipas tij, mes të arrestuarve kishte edhe persona me shtetësi të huaj.
Ai tha se pesë kërkesat fillestare të protestuesve janë lënë në plan të dytë dhe se tubimi është përqendruar te kërkesa për largimin e kryeministrit, pavarësisht se ky i fundit, sipas Ballës, ka shprehur gatishmërinë për dialog. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së akuzoi gjithashtu Partinë Demokratike se organizon protestat në rrethe përmes deputetëve dhe degëve të saj.
Balla u ndal edhe te zhvillimet politike në Tiranë, duke përmendur Sali Berishën, Agron Shehajn dhe Adriatik Lapajn. Ai ngriti pretendime për pagesa ndaj personave që marrin pjesë në protesta, duke ia atribuar këto veprime Shehajt, ndërsa përmendi edhe deklaratat e Lapajt lidhur me arrestimin e personave nga lëvizja e tij.
“Nga 51 personat e arrestuar ditën e parë nuk kishte asnjë student. Ka edhe persona me shtetësi të huaj. Pra ju konfirmon që kjo nuk është një gjë brenda Shqipërisë. Edhe kur kanë qenë flamingot kam qenë i zëshëm në publik, një moment flamingot ikën dhe aty mbetën sorrat. Që ditën e 6 pesë kërkesat u harruan. Dhe u zeruan të gjitha thanë të ikë kryeministri. Ai doli dhe tha dialog, hajde të flasim. Tani jemi në kushte që protesta nuk është e studentëve, faktet janë që nuk ka studentë të arrestuar. Kam parë që PD thotë më është arrestuar në dhunë e sipër një sekretar. Të gjitha protestat e ashtë-quajtura në rrethe organizohen nga deputetë të PD dhe nga degët e PD. 30 persona sot në Lezhë të iniciuar nga deputeti i PD dhe deputetë të tjerë të qarkut Lezhë i vunë shkelmi simbolit në hyrje të Lezhës. Në Tiranë nuk është vetëm PD. Nuk është Sali Berisha vetëm, është Agron Shehaj që paguan me para në dorë pjesëmarrjen e personave në këto protesta dhe ke Lapajn që po ashtu del dhe thotë më kanë arrestuar të gjithë udhëheqjen e lëvizjes”, tha ai.


