Calja mban premtimin, përsëri kampion i Europës

Më të fundit


Shtangisti nga Shtërmeni realizon tjetër sukses në Europianin e shtangës

Briken Calja është shpallur Kampion Europe në peshëngritje në peshën 73kg, për stilin e shkëputjes, ndërsa ka rrëmbyer dy medalje të argjendta në shtytje dhe dygarësh. Kampioni në fuqi i Europës garoi sot në Europianin e shtangës që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë.

Në provën e parë, Calja realizoi me sukses 152kg, ndërkohë që shtangisti nga Shtërmeni nuk dështon edhe në provën e dytë, ku ngre lart me sukses 156kg. Në provën e tretë shtangisti kuqezi tentoi 160kg, për të vendosur rekord të ri europian, por pa sukses.

Pasi siguroi medaljen e artë në shkëputje, peshëngritësi nga Shtërmeni garoi për stilin e shtytjes, duke dështuar në dy nga tre provat, dhe për rrjedhojë doli i dyti. Gjithashtu në përfundim të konkurrimit, Briken calja u shpall nënkampion Europe në dygarësh, teksa rrëmbeu 1 medalje të artë dhe dy të argjendta.

Në stilin e shtytjes Calja e nis jo mirë garën, duke mos ngritur dot 183kg në provën e parë. Gjithsesi, këtë peshë shtangisti e realizon me sukses në provën e dytë, duke ngritur lart 183kg. Në provën e tretë, shtangisti kuqezi tentoi 188kg (rekord europian), por dështoi sërsish edhe pse iu afrua shumë pranë suksesit.

Në dygarësh, Briken Calja e mbylli garën me 339kg në total. Ai u mposht vetëm nga bullgari Bozhidar Andreev, që e mundi në stilin e shtytjes (ngriti 192kg) dhe në dygarësh (345kg, rekord europian). Gjithsesi, shtangisti kuqezi mbajti premtimin për medalje, duke i dhuruar Shqipërisë një të artë dhe dy argjendi, ndërkohë që një vit më parë fitoi 3 të arta.



Skip to toolbar