“I larë në ar”, Briken Calja kërkon shpërblim nga shteti

AKTUALITET


Sporti në Shqipëri nuk është  në ditët më të mira të tij, por megjithatë, diçka mbetet për tu krenuar. Peshëngritja është sporti, ku së paku në dy vitet e fundit, sportistët shqiptarë janë ngjitur disa herë në podium në garat ndërkombëtare duke marrë dhe medalje. Briken Calja është peshëngritësi më i suksesshëm i dy viteve të fundit. Në më pak se 19 muaj, peshëngritësi nga Shtërmeni i Cërrikut, fitoi katër medalje të arta dhe 2 të argjendta në dy kampionate europiane dhe një medalje bronzi në Botëror. Por, nëse Brikeni është i “larë në ar”, xhepat e tij  nuk janë kështu. Me një reagim publik, Briken Calja i rikujton shtetit shqiptar se është Kampion i Evropës me katër medalje ari, 2 argjendi dhe 1 bronzi në Botëror, por ende nuk i është rezervuar së paku një pritje zyrtare.

“Përgjatë dy viteve të fundit kemi arritur rezultate historike për sportin shqiptar dhe për peshëngritjen në veçanti! Por në Shqipëri këto triumfe hostorike të hidhen në kosh sa hap e mbyll sytë. Marrim nje shembull konkret: Në Bullgari kundështarit tim në peshën 73 kg Andreev Bozhidar, pas 21 ditëve, kohë e cila është normale për sa i përket pritjes që i bëhen analizave anti-doping, ministri perkatës i sporteve i bën pritje zyrtare dhe i siguron mbështetje të mëtejshme institucionale, financiare dhe morale për garat e ardhshme. Ndërsa në një univers paralel, Briken Calja në Shqipëri, fitues i 4 medalje të arta e 2 të argjendta Evropiane dhe një bronzi Botërore, ende nuk është shpërblyer për të gjitha medaljet që i takojnë dhe është në pritje akoma pas 19 muajve për një pritje zyrtare nga ana e institucioneve përkatëse. Kjo është skandal dhe qesharake njëkohësisht”, shkruan Calja.


Ai sqaron më tej se ka plotësuar çdo dokumentacion që i është kërkuar nga ana e institucioneve shtetërore për të përfituar shpërblimin financiar që i takon sipas ligjit, por sipas Briken Cales, shtetit i ka dhënë shpërblim për vetëm një medalje.  “Unë po kërkoj zbatimin e një VKM-je, asgjë më shumë, as lëmoshë e asgjë. Për Brikenin flet rezultati dhe jo burrokracitë dhe parazitizmat e rëmdomta që gjejmë në shoqërinë tonë. Realisht ligji i sportit dhe VKM-të përkatëse janë përmirësuar ndjeshëm po problemi qëndron zbatimi i tyre. Po vuaj padrejtesisht këtë çështje dhe dispozitat ligjore te parashikuara ne V.K.M dhe ligjin shqiptar më japin plotësisht të drejtë të përfitoj shumë herë me tepër se çkam përfituar deri më sot. Konkretisht, në 2018, kam marr 3 medalje ari dhe jam shperblyer vetëm për një të tillë, shto dhe faktin që për shpërblimin e një medalje të vetme kam pritur 1 vit të plotë kalendarik, nderkohë ligji shqiptar e parashikon për 3 muaj. E njëjta gjë ndodh dhe me medaljet e 2019”, shkruan Calja.

Më tej ai ngre dhe një tjetër shqetësim, që lidhet me punësimin e tij si sportist elitar, parashikuar nga ligji. Briken Calja thotë se ai duhet të punësohej pranë Ministrisë së Brendshme ose asaj të Mbrojtjes, por deri tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Ai shprehet se për këtë ka plotësuar të gjitha dokumentat e kërkuara. “Çështje tjetër është dhe punësimi i medalistëve të kampionatit Evropian dhe Botëror. Konkretisht nga ana ligjore unë përfitoj punësim pranë Ministrisë se Brendshme ose te Mbrojtjes por deri tani asgjë e tillë ska ndodhur edhe pse dokumentacionet janë plotësuar të gjitha zyrtarisht. Se kur do të plotësohen këto gjëra nuk e di, mbase pas një shekulli?! Ligji dhe VKM-ja për sportet kanë një vit që kanë hyrë në fletoren zyrtare. Jam i lodhur nga këto burokracira. Kur do të vijë dita kur do të marrim atë që meritojmë pa u bërë pjesë e këtyre dogmave skandaloze të shoqërisë sonë. Njëkohësisht nëpërmjet këtij postimi publik i drejtohem Kryeministrit dhe Ministres së Arsimit dhe Sporteve. Jam i gatshëm të bashkëpunoj për ti dhënë drejtimin e duhur zgjidhjes së kësaj situate”, përfundon Calja.




Skip to toolbar