Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka akuzuar policinë se ka dhunuar banorët e zonës së Bregut të Lumit në Tiranë, të cilët protestojnë kundër shembjes së banesave të tyre dhe kundër zgjatimit të Bulevardit të ri të Tiranës.
Përmes një mesazhi në facebook, Basha akuzon qeverinë se ka tradhtuar njerëzit e thjeshtë duke sulmuar me gaz shtëpitë e tyre. Ai bën thirrje për rrëzimin e këtij regjimi, siç shkruan ai.
“Dhunë, gaz dhe terror nga policia kundër qytetarëve në shtëpitë e tyre! Kjo qeveri i ka tradhëtuar njerëzit e thjeshtë dhe Shqipëria është në mjerim ekonomik, me padrejtësi dhe pasiguri në çdo cep të saj.
Te gjithë ata që urdhëruan, dhunuan dhe sulmuan me gaz në shtëpitë e veta qytetarët dhe fëmijët e tyre në mënyrë kriminale, do të mbajnë përgjegjësi!
Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve ti dëgjojnë këto këmbana alarmi, të bashkohemi, ti japim dorën njëri-tjetrit për ti dhënë fund këtij regjimi, për të çliruar drejtësinë, e për të garantuar një qeveri që punon për popullin. #ShqiperiaSiEuropa”, shkruan Basha në facebook.