Një ditë pas firmosje së dekretit për anulimin e datës së zgjedhjeve, kjo e martë pritet të jetë e mbushur me të tjera zhvillime politike në vend. Kështu, Partia Socialiste tashmë e ka bërë fakt të kryer nismën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, teksa të hënën Taulant Balla depozitoi kërkesën për zhvillimin e një debati të gjatë në seancën parlamentare të së enjtes, ku do të diskutohet shkarkimi i Metës.
Për këtë arsye, gjatë paradites së sotme, në orën 09:00, do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve në Kuvend, ku do të caktohet data e zhvillimit të mocionit të debatit dhe ora e tij, për shkarkimin e Ilir Metës.
Sakaq, Kryeministri Edi Rama do të jetë në një seri takimesh në Bruksel këtë të martë, ku sigurisht fokus i takimeve të tij do të jetë kriza politike në vend. Një ditë më parë, saktësisht mbrëmjen e së hënës, opozita dhe presidenti Ilir Meta, morën një tjetër goditje nga partnerët ndërkombëtar.
Ishte kreu i OSBE Miroslav Lajçak, që u shpreh se lëvizja e Ilir Metës ishte një akt që mund të thellonte krizën në Shqipëri, duke kërkuar që kreu i shtetit të respektojë të drejtën e qytetarëve për të votuar.
Ky reagim erdhi pas takimit që Kryeministri Edi Rama pati me ambasadorët e vendeve të BE në mesditën e të hënës, të cilët, siç i tha një burim Realstory.al, i kanë shprehur mbështetjen kreut të qeverisë.
Mbrëmjen e të hënës, edhe Bashkimi Europian i kërkoi presidentit që të respektonte të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të votuar. Ishte zëdhënësja e shefes për Politikën e Jashtme të BE-së, Maja Kocijançiç, e cila në emër të Federica Mogherinit, ka deklaruar të hënën se qytetarëve shqiptarë duhet t’u jepet e drejta për të votuar për të siguruar vazhdimësinë e qeverisjes lokale.
Megjithatë, të martën pasdite, opozita ka lajmëruar se do të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të vendosur se si do të jetë aksioni opozitar në vijim. Një ditë më parë, në mbledhjen e kryesisë, opozita vendosi ngritjen e strukturave të posaçme për atë që ajo e quan “parandalimin e rrezikut që i kanoset demokracisë”.
Por, po sot, priten të tjera reagime ndërkombëtare, duke pasur parasysh vizitën e Kreyministrit Edi Rama, që është angazhuar për të gjetur mbështetjen e ndërkombëtarëve, me qëllim që zgjedhjet të mbahen në afatin e caktuar, ndërsa pas tyre, ashtu siç ai vetë është shprehur një javë më parë në “Real Story”, të shihet mundësia për dialog.