Kolera dhe sëmundje të tjera vdekjeprurëse mund të vrasin mijëra njerëz në qytetin port të Ukrainës jugore, Mariupol, ku kufomat mbeten rrugëve dhe vera po sjell një mot më të ngrohtë, tha të premten kryebashkiaku i qytetit.
Kryetari i bashkisë, Vadym Boichenko, tha se puset e ujit janë kontaminuar nga kufomat e njerëzve të vrarë gjatë javëve të tëra bombardimesh dhe sulmesh të forcave ruse, ndërsa mbledhja e kufomave ecën me ritëm tepër të ngadaltë.
“Ka një valë dizanterie dhe kolere. Ky është fatkeqësisht vlerësimi i mjekëve tanë: lufta që mori jetët e rreth 20 mijë banorëve, fatkeqësisht për shkak të gjithë këtyre epidemive infektive do të marrë jetët e mijëra të tjerëve në Mariupol”, tha ai në televizionin kombëtar.
Zoti Boichenko, i cili është zhvendosur jashtë Mariupolit, tha se qyteti është vendosur në karantinë.
Ukraina thotë se tashmë në Mariupol ndodhen rreth 100 mijë persona. Qyteti dikur i begatë kishte një popullsi prej 430 mijë personash përpara se të fillonte lufta, por është shndërruar tashmë në një shkretëtirë urbane.
Zoti Boichenko, i cili tha muajin e kaluar se bombardimet ruse e kishin shndërruar Mariupolin në “një geto mesjetare”, tha se banorët ishin shtrënguar të pinin nga uji i puseve për shkak se qyteti nuk ka më ujë të rrjedhshëm, apo sistem funksional kanalizimesh.
Ai u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq që të krijojnë një korridor humanitar për t’i ndihmuar banorët të largohen nga qyteti, në të cilin zyrtarët ukrainas thonë se ende mungon furnizimi me ujë, energji apo gaz.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi muajin e kaluar për mundësinë e përhapjes së kolerës në Mariupol.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha të premten se ekziston rreziku i një përhapjeje madhore të kolerës në Mariupol, pasi shërbimet mjekësore pothuajse nuk ofrohen më.
Russia po vështirësohet që t’i ofrojë shërbimet bazë publike popullsisë së gjendur në territoret e pushtuara nga forcat ruse.
Autoritetet ruse nuk komentuan menjëherë për deklaratat e zotit Boichenko apo të Ministrisë britanike të Mbrojtjes. Moska thotë se “operacioni i saj special ushtarak” synon të çarmatosë dhe të zhduk elementët nazistë të Ukrainës. Kievi dhe vendet aleate e quajnë atë një luftë të paprovokuar agresioni për marrje territoresh.