Baze: Përse Berisha sulmoi sot SPAK, për faksin që implikon djalin në Gërdec?

Më të fundit


Sali Berisha paska një shpjegim për faksin që është çuar nga zyra e Aldo Bumçit si ish- ministër Drejtësie drejt një zyre private që përdorte Shkëlzen Berisha në Ministrinë e Mbrojtjes, për ta informuar atë në mënyrë informale, se rekomandimet e Ministrisë së Drejtësisë për projektin e Gërdecit ishin pozitive, siç i donte Shkëlzeni.

Prokuroria ka një procedurë ligjore si e ka gjetur atë faks. Ai faks është gjendur në materialet e sekuestruara në zyrën e një zyrtari të Ministrisë së Mbrojtjes dhe është i inventarizuar bashkë me çdo letër që është gjendur në atë zyrë.

Natyrisht që kur e kanë gjetur prokurorët ka qenë pak e vështirë të kuptojnë se përse nga faksi i Ministrisë së Drejtësisë, koka e të cilit është e patjetërsueshme, është dërguar një faks për Shkëlzen Berishën tek një zyrë e përdorur në mënyrë informale në Ministrinë e Mbrojtjes, por sqarimet janë dhënë gjatë hetimit.

Sekretarja e Aldo Bumçit ka pranuar vizitat e Shkëlzen Berishës në zyrën e ministrit dhe po ashtu ka pranuar se se ai faks është dërguar nga faksi i saj. Shënimi sipër është për t’i treguar vendit ku shkonte, se është për Shkëlzen Berishën dhe nuk ka thënë njeri që është shkrim i Aldo Bumçit. Këtë mund ta thotë Aldo Bumçi nëse do të bashkëpunojë me drejtësinë.

Por në vend të bashkëpunimit me drejtësinë, Aldo Bumçi ka bërë haptazi dëshmi të rreme. Deklarata e Aldo Bumçit, që bën si shejtan budalla pasi del nga SPAK, në të vërtetë është një dëshmi e rremë, dhe ai duhet të arrestohet tani jo pse nga faksi i tij lajmëronte Shkëlzen Berishën që ja ka kryer shërbimet, por se po gënjen para drejtësisë.

https://www.gazetatema.net/2016/03/15/faksimile-faksi-aldo-bumcit-per-shkelzenin-dhe-shteti-paralel-i-shkelzenit-brenda-shtetit/

Dhe këtë e përforcoi sot Sali Berisha, i cili përsëriti atë që tha Aldo Bumçi, duke treguar në fakt se Sali Berisha është njeriu i interesuar për versionin e gënjeshtërt të Aldo Bumçit dhe është tutori i tij. 

Berisha tha para gazetarëve se “ai ishte një manipulim me urdhër për të më implikuar mua dhe djalin tim. Dihet kush e ka bërë atë falsifikim, ka dëshmitarë kush e ka bërë. Bumçi e çoi në atë kohë në Prokurori. Unë them jo, se e mora vesh kush ishte. Këta e marrin tani për së dyti. E kuptoni?”

Deklarata e re e Berishës mund ta zgjidhë çështjen më shpejt. SPAK të thërrasë Sali Berishën, të dëshmojë kush e ka bërë falsifikimin dhe pse e ka penguar drejtësinë të arrestojë njeriun që e ka bërë falsifikimin. Lehtësia me të cilin Berisha dëshmon se ka penguar të hetohet çështja, pasi e ka marrë vesh kush ishte personi, e implikon atë rëndë edhe si dhunues të drejtësisë, dhe si autor në krim.

Për një njëri nën akuzë, madje për një familje nën akuzë, siç është ai, ky do ishte fat i madh. Madje Berisha duhet të ishte i gëzuar që me zgjedhjen e kryetarit të SPAK ta sqaronte këtë çështje, meqë qenka person në dijeni. Aq më tepër që Dumani ka qenë prokuror edhe në kohën kur ai ishte në pushtet dhe ka ndodhur Gërdeci. E njeh mirë dhe kontekstin politik të atij hetimi. 

Por në fakt ai nxinte dhe u kujtua të ankohej për këtë gjë, në momentet kur po zgjidhej kryetar i ri i SPAK. Deri tani paska qenë i qetë dhe ishte e bindur se nuk do t’ia hapte njeri këtë dosje. Madje dhe dje dhe pardje ka qenë i qetë. Fiks sot filloi të ankohet, tri ditë pasi Aldua e ka bërë dëshminë e rremë para prokurorëve.

Pavarësisht emocioneve të Berishës, fakti që ai thotë që e di se kush e ka bërë këtë falsifikim dhe e paska penguar drejtësinë të veprojë, e bën atë subjekt të ligjit penal dhe duhet të thirret urgjent të japë shpjegime.

Nëse faksi është i falsifikuar, atëherë falsifikatori shkon para drejtësisë. Nëse është i vërtetë, atëherë djali i tij ai dhe vet Aldo Bumçi, si zyrtar që bën dëshmi të rreme, duhet të shkojnë aty ku e kanë vendin.



Skip to toolbar