Republikanët shprehin mbështetje për zotin Trump pas ngritjes së akuzave penale

BOTA


Udhëheqës të lartë republikanë në Kongres shprehën mbështetje për ish-Presidentin Donald Trump, ndërsa një juri e madhe në Manhatan hapi dritën jeshile për ngritjen e akuzave penale ndaj tij. Republikanët i akuzuan demokratët se po e përdorin politikisht sistemin e drejtësisë.

Reagimi i ashpër i republikanëve ndaj ngritjes së akuzave të enjten pasqyron mbështetjen që ende gëzon zoti Trump tek Partia Republikane dhe shumë prej votuesve të tij, ndërsa ai përpiqet të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, tha se ngritja e aktakuzës tregon se “sistemi ynë i shenjtë i drejtësi u përdor politikisht” kundër zotit Trump.

Ligjvënësja Elise Stefanik, një tjetër udhëheqëse në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, e quajti aktakuzën një, “gjueti politike shtrigash dhe një ditë të errët për Amerikën”.

Senatori i Floridës, republikani Rick Scott e quajti ngritjen e aktakuzës një “hakmarrje politike kundër Presidentit Trump”, ndërsa Senatori Ted Cruz i Teksasit e quajti atë “një përshkallëzim katastrofik të përdorimit politikisht të sistemit të drejtësisë”.

Ish-Presidenti Trump e quajti ngritjen e aktakuzave një “persekutim politik”. Kandidati për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024 i përgatiti mbështetësit e tij ndërsa deklaroi javën e kaluar se ndaj tij do të ngriheshin akuza lidhur me pretendimet për pagesa për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels. Javën e kaluar fushata presidenciale e zotit Trump mblodhi rreth 2 milionë dollarë, sipas drejtuesve të saj.

Zoti Trump është kandidati kryesor republikan në zgjedhjet e presidenciale të vitit 2024. Ai gëzon mbështetjen e rreth 44% të republikanëve, sipas një sondazhi të mbyllur të hënën nga Reuters/Ipsos dhe pasohet nga guvernatori i Floridës Ron DeSantis me 30%, pavarësisht se ky i fundit ende nuk ka shpallur kandidaturën.

Përmes një shkrimi në rrjetitn Twitter, guvernatori DeSantis tha se ngritja e aktakuzës ishte joamerikane.



Skip to toolbar