Çupi: Kjo që po ndodh tani nuk ka ndodhur kurrë në vendin tonë

Më të fundit


Nga Frrok Çupi

Gati e vranë pardje në Mat njërin nga aktivistët e Partisë Socialiste në maxhorancë. Thanë se ishin ‘trockistët’ e opozitës, ku bëjnë pjesë dy ish- presidentët e fajësuar për korrupsion, vrasje dhe dhunë në shkallë kombëtare. Domethënë ishin pakica e pakicës.

Kjo që po ndodh tani nuk ka ndodhur kurrë në vendin tonë: Opozita dhunon maxhorancën.

Qoftë edhe një herë të vetme të kishte ndodhur, atëherë, shoqëria shqiptare do të ishte ‘pikturuar’ në një tablo tjetër. Ajo pamja tjetër do të kishte qenë një dhunë mizore e shumicës kundër çdo pakice. Në dy qeveritë e dhunshme të viteve të kaluara (Berisha dhe Hoxha) është ushtruar tirania mbi ‘pakicat kryengritëse’:

Në vitin 1997 nisi dhuna për shfarosje e popullit ‘në pakicë’ të Labërisë. Edhe pse qeveria ishte ‘shumicë’ megjithatë mori ushtarë mercenarë nga Irani dhe nga FARK i Kosovës. Rrethinat e Vlorës, Tepelenë, Cërrik, Berat, Kuçovë, Gjirokastër, Sarandë…, i mbyti në gjak dhe pastaj u preu urat. Në regjimin komunist-1 të Hoxhës u burgosën e u pushkatuan jezuitët katolikë, por edhe myslimanë; ata ishin pakicë. U shtypën revoltat në burgje duke ua tret edhe varret autorëve…

Po të ishe anëtar i shumicës së Saliut, mund të kaloje ‘me të kuqe’ në semafor ose edhe të vrisje këdo që të shikonte habitshëm në rrugë.

Janë mijëra rastet e ngjashme në ato dy regjime të tiranisë së shumicës.

Po kjo që po ndodh tani, kur pakica ushtron dhunë ndaj shumicës dhe shumica rri si ‘deveja kur ngarkohet me barrë’, kjo pse ndodh?..

Atëherë gjëja e parë që më duhet të them është se shoqëria qytetare dhe shoqëria politike kanë marrë një trajtë shumë më të përparuar. Këto nuk po e përdorin ‘putrën e elefantit kundër miut’. Kemi sinjalet e një shteti në modernizim, kemi shenjat e një shoqërie me fytyrë të qytetërimit perëndimor.

E tëra është kur shikohet e tëra. Në emër të ‘modernizimit të shtetit’, instrumentet e shtetit kanë harruar disa funksione. Ja ku i kemi në tryezë, para syve: Një masë amorfe njerëzish të mbledhur rreth Berishës që sundoi mizorisht si maxhorancë, kanë hyrë me forcë në procesin e zgjedhjeve të 14 majit. Ligji nuk i lejon që të jenë as subjekte dhe as palë në zgjedhje, por ata ‘janë aty’. Edhe zonja Glover e ODIHR-it bëri të njëjtin akt anti- ligjor si edhe KQZ. Ku është shumica? Zbatuesit e ligjit kanë lejuar që minoranca të dhunojë ligjin e shumicës.

Edhe në veprimet e zakonshme, Berisha dhe familja e tij shkelin ligjin përditë. Por ata mburren se kurrë nuk janë paraqitur para Drejtësisë… Sikur të vije ti apo unë në oborrin e një zyre, i armatosur me mjete dhune, me mjete zjarri dhe me dhjetëra ushtarë të vdekjes…, a nuk do të ishim sot në qeli?! Pse Drejtësia nuk e dërgon Berishën prapa hekurave? Po Monikën që merr para nga Rusia dhe fsheh para në offshore?

Pse këta kanë të drejtë të ‘rrahin’ shumicën e popullit?

Maxhoranca ka shpallur parimin se ‘nuk i dal zot askujt’ nga pala e qeverisë! Edhe kjo nuk ka ndodhur dhe çmohet po aq moderne e qytetare sa edhe praktika që maxhoranca nuk dhunon pakicën. Por pakica, në rastin tonë, vjen nga dhuna, ajo nuk ndryshon zakon.

A do ta mbrojë qeveria popullin e vet nëse kjo pakicë që po provon dhunë përsëri, një ditë do t’i sulet popullit me vrasje, me djegie, me kërcënime, me mjetet që i ka në dorë? Apo do t’i thotë popullit se “unë maxhoranca kam vendosur të mos mbroj njerëzit e mi”?

Tirania që po ushtron opozita mbi shumicën ka disa burime, natyrisht:

E para se kjo opozitë po tkurret përditë në numra dhe po shpërbëhet. Kjo e bën nervoze dhe të dhunshme.

E dyta, frika nga ligji i shkelur prej njerëzve të opozitës, ka bërë që në radhët e opozitës të mbeten vetëm ‘njerëz qorra’ besnikë ndaj liderit. Këta, prioritetin e vetëm kanë ‘luftën’.

E treta, brenda opozitës ndodhet një grup njerëzish të dhunës, që për t’u fshehur e quajnë veten ‘trockistë’. Por në fakt janë militarë. Këta janë shumë larg një shteti dhe shoqërie moderne; këta nuk kanë as principe as mëshirë. Këta dhunojnë njerëz dhe institucione.

E katërta, opozita këtu e ka kapërcyer veten, edhe si moshë pa efekte pozitive në shoqëri. Ajo tani jeton moshën e intolerancës.

Shoqëria është ku e ku!, përpara në sensin e tolerancës. 



Skip to toolbar