Tentoi të trafikonte lëndë narkotike në Shqipëri, vihet në pranga 33-vjeçari Amir Bunjaku.
Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, bazuar në inteligjencën informative dhe në analizën e riskut, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijë të dytë, për kontroll më të imtësishëm, një automjet taksi.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në automjetin taksi në të cilën udhëtonte si pasagjer shtetasi A. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 4 pako me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin Amir Bunjaku, 33 vjeç, banues në Zyrih, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.