Çupi: Albini do luftë…, po pastaj

KOSOVA


Nga Frrok Çupi

Albini i Kosovës e bëri si ‘burrat mistrecë’ të fshatit dikur. Mistreci dilte te bregu përballë shtëpisë së fqinjit dhe i bënte zâ: ‘O filani, ta dish se ta preva vijën e ujit. Po deshe hajde vritemi…’.

Ai tjetri nuk kishte ndërmend me ngreh luftë; por edhe e dinte se ‘mistreci i katundit’ këtë punë kishte: Bënte sherr me njërin e kruhej me tjetrin. Në fund diçka dilte edhe për atë, dhe kështu jetonte.

Kur Albin Kurti doli në bregun përballë Serbisë, bëri fiks si ai në fshat. Serbisë nuk i tha se ‘do të të godas me ushtrinë time’, por ia la fjalën varur.

-Nëse Serbia do të fillojë luftën, ne nuk i trembemi!,- tha Kurti.

Këtë e tha në Austri, në median e këtij vendi Imperial, domethënë në altoparlantin që është mes Serbisë dhe Europës, ku fjala bën jehonë.

Qëllimi i Albin Kurtit është thuajse i njëjtë me qëllimin e ‘fshatarit mistrec’ të së shkuarës. Ky e do luftën me Serbinë, e do si ‘ujin e paktë’. Sidomos në këto kushte kur lufta është bërë e ngjashme me të nxehtit e pashoq  dhe ku vetëm një fije shkrepëse mund t’i vërë zjarrin dynjasë. Vetë Albin Kurti, në kushtet kur i ka treguar ‘derën’ Perëndimit dhe po izolon e varfëron vendin e vet, nuk mund të dalë nga qerthulli i vet pa bërë një luftë.

Albini e ka luftën me Serbinë, ashtu siç ka me Serbinë edhe punën e përbashkët në afera të pista e kriminale. Por aferat kriminale bëhen në fshehtësi nga populli, lufta ka tjetër kuptim: Shpallja e luftës ndez zemrat e militantëve, të njerëzve që rrojnë në kotësi, të nacionalistëve të verbër dhe budallenjve.

Kjo, pikërisht kjo, i nevojitet Albin Kurtit:

Nga lufta ai del më i fituar se sa kaq i humbur është sot. Nga lufta del ose ‘hero’ por pa asnjë vlerë për popullin dhe Kosovën; nga lufta del edhe si viktimë që do t’i përmendet emri në sharki.

Por mbi të gjitha, me luftën që i nxit Serbisë, Albin Kurti arrin, padyshim, gjëmën më të tmerrshme: Në mbarimin e Luftës nuk do të ketë më Kosovë Republikë, as Kosovë shtet, as kjo Kosovë e pavarur që kemi sot.  Me luftën e Albinit shkohet përsëri në rrënjët ku ishte Kosova para vitit 1999.

Nuk është aspak rasti për të menduar se ‘si do ta fitojë luftën Kurti?’.

E para, sepse Kurti as e ka idenë që të fitojë luftën; për këtë lider edhe humbja e luftës është një fitore e tij. Si një fshatar ‘mistrec’ në Veri shekullin e kaluar. Ai ra në Shkodër dhe shtiu pushkë në Pazar. E pyetën kur u kthye në fshat: ‘Ore a mos shtive pushkë ti, allahile!?’

-Unë shtiva pushkë në Pazar të Shkodrës!- tha fshatari me mburrje.

-Po ça fitove!?- e pyetën.

-Për të fituar nuk fitova, por pazarin e prisha!- u mburr prapë fshatari.

Albinit i duhet një luftë, ndryshe nuk del nga balta e tij. Kjo do të quhej Lufta e Dytë e Kosovës. Lufta e parë ishte Lufta e Amerikës dhe UÇK, të cilën e kundërshtoi dhe e hodhi poshtë Albini.

Ndërsa Lufta e Dytë- luftë e vetëm Albinit.

Tanimë Amerika as NATO nuk marrin pjesë në një luftë që e kanë kryer. E Dyta, për hajër Albinit!



Skip to toolbar