Një reper rumun e ka nxitur një vorbull të zemërimit moral – dhe ka fituar pakëz përkrahje njëkohësisht – pasi adoleshentët i kënduan bashkë me të vargjet me përmbajtje gangsterizmi dhe tërbimi në një festival muzike në Transilvani.
Gheboasa, një artist 21-vjeçar i muzikës hip-hop, emri i vërtetë i të cilit është Gabriel Gavris, përformoi në festivalin katërditor të muzikës elektronike në Cluj-Napoca më 4 gusht.
Pas një zemërimi të madh në rrjetet sociale rumune dhe një debati të ashpër në media mbi kulturën për disa ditë më radhë, Gheboasa u dënua me gjobë për përdorimin e një gjuhe e cila e prishi paqen dhe e fyeu publikun. Ai thotë se do të ankohet ndaj vendimit.
Zemërimi publik ka të bëjë kryesisht me mizogjininë e perceptuar, lartësimin e dhunës dhe drogës, si dhe racizmin e stereotipat etnike – të cilat janë çështje që e kanë kapluar botën e hip-hopit dhe muzikës rep të mbizotëruar nga meshkujt për dekada.
Reagimet e ashpra bënë që Gheboasa të gjobitej më 222 dollarë më 8 gusht, për “fyerje të mëdha, shprehje fyese apo vulgare, që kanë mundësi ta pengojnë rendin publik dhe paqen, apo të nxisin zemërim mes qytetarëve, apo ta fyejnë dinjitetin ose nderin e tyre”.
Policia e Cluj-Napoca i kërkoi, po ashtu, Këshillit Kombëtar për Luftimin e Diskriminimit që: “ta analizojë paraqitjen e Gheboasas, fjalët dhe shprehjet e përdorura nga ai, për të parë nëse ka pasur shkelje diskriminuese apo anti-shoqërore”.
Gheboasa u përgjigj në rrjetet sociale duke i akuzuar autoritetet se e gjobitën për shkak të: “syve të bukur” që ka, dhe sepse ai është “cigan”.
Gheboasa u rrit në një komunitet rom në një lagje të varfër të Targovistes, një qytet 80 kilometra larg nga kryeqyteti, Bukuresht, dhe foli për fëmijërinë e vështirë të rrethuar nga dhuna dhe varfëria. Ai i kaloi vitet e fëmijërisë nën kujdestari, për shkak se babanë e kishte në burg, ndërsa nëna e kishte braktisur menjëherë pas lindjes.
Rreth 1.85 milion romë jetojnë në Rumani, rreth tetë për qind e popullsisë së këtij vendi, sipas Këshillit të Evropës. Megjithatë, sipas regjistrimit të fundit të romëve më 2021, në Rumani jetojnë 560 mijë romë, një shifër që është kundërshtuar nga disa sociologë, të cilët thonë se romët nuk e tregojnë përkatësinë etnike, ose nuk marrin pjesë fare në regjistrim.
Sipas Amnesty International, romët në Rumani “përballen me varfëri të skajshme, përjashtim nga shoqëria dhe diskriminim, përfshirë në arsim, shëndetësi dhe punësim”.
Pak orë pas paraqitjes së Gheboasas në Untold Festival, Catalin Tone, i cili i udhëheq operacionet kundër drogës në Bukuresht për Drejtorinë e Policisë për Luftimin e Krimit të Organizuar, mori vëmendje të madhe publike pasi i shpërndau brohoritjet e një audience të mbushur me adoleshentë të hitit më të madhe të reperit: “Da-I Tiganca!” që në shqip përkthehet si: “Heq Dorë, Vajzë Cigane!”
Tone e shpërndau tekstin e këngës së Gheboasas bashkë me një video nga festivali, duke paralajmëruar se: “këta janë idhujt e fëmijëve tanë!”
“Heq dorë, vajzë cigane/Thyeje bankën/Oh, çfarë vajze e bukur cigane/Si i lëviz ajo ijët/Lëvizje horror/ Ajo është e pistë.”
Kënga “Da-I Tiganca!” ka edhe një kuptim mbase fyes për fjalën “bankë”, e cila mund të përdoret edhe si zhargon për t’iu referuar vitheve të një gruaje. Tone theksoi se edhe një tjetër këngë e Gheboasas i referohet drogës dhe ka një shprehje vulgare e përçmuese për organet gjenitale të gruas. Në të, Gheboasa mburret se i konsumon të dyja.
“T’i mbrojmë fëmijët tanë!” bëri thirrje Tone.
Gheboasa, emri i të cilit në rumanisht merr formën femërore të fjalës “gungaçe”, ka legjione të adhuruesve të rinj, duke mbledhur dhjetëra miliona shikime në plafromën YouTube dhe ka qindra mijëra ndjekës në rrjetet sociale TikTok dhe Instagram. Ai ishte garues në emisionin televiziv “Rumania e Mbijetuar”, por u tërhoq pas javës së parë.
Stili i muzikës së Gheboasas e ka marrë termet “trapanele”, një përzierje stilesh – nënzhanri i hip-hopit që ka dalë nga jugu i Amerikës në vitet e ’90 – dhe “manele”, një zhanër i muzikës pop-folk i ndikuar nga muzika turke, arabe dhe ballkanike, e cila është shumë e njohur në komunitetin rom të Rumanisë.
Emri “trap” buron nga “trap house”, një zhargon i Atlantës për vendin ku shiten drogat. Derisa origjina e “trapit” vjen nga qytetet amerikane të goditura nga varfëria, me artistët që bëjnë rep për jetën në rrugë, dhunën dhe drogat, tingujt e tij dallues të basit të rëndë kanë depërtuar deri në qendër dhe përdoren edhe nga artistet si Byonce dhe Rihanna. Shumë artistë ndërkombëtarë të “trapit” e huazojnë dhe përshtatin stilin e këtij zhanri dhe tekstet e papërpunuara nga homologët e vet amerikanë, teksa bëjnë free-style në skenë në mënyrë rutinore.
Pas rënies së komunizmit, të rinjtë romë nëpër Evropë e përqafuan hip-hopin amerikan, duke e identifikuar veten me tema të zakonshme për padrejtësinë shoqërore, dhunën policore, dhe varfërinë. Shumë reperë romë janë bërë të njohur duke e përzier shpesh zhanrin origjinal me stile të muzikës lokale.
“Unë nuk jam këtu për t’i edukuar fëmijët”
Gheboasa u është kundërpërgjigjur kritikëve. Në një paraqitje në televizionin rumun më 7 gusht, ai iu përgjigj kritikuesve, prindërve të cilët e akuzuan atë se po ua prish mendjen fëmijëve.
“Mbase ato nuk ishin tekstet më të mira, por unë nuk marr pjesë në festivale për t’i edukuar fëmijët”, tha Gheboasa në intervistë. “Një burrë i cili ka frikë se fëmija i tij nuk do të jetë i edukuara [pasi i ka dëgjuar këngët e mia] dhe se unë po ia shkatërroj edukimin [e fëmijës] është një prind i cili nuk kujdeset siç duhet për fëmijën e vet”.
Përfaqësuesit e Gheboasas nuk pranuan të komentojnë për këtë çështje kontroverse kur u kontaktuan nga Shërbimi i Radios Evropa e Lirë në Rumani.
Argumentet e shumicës së kritikëve të tij më të zëshëm duket se i pasqyrojnë dallimet e vjetra të gjeneratave rreth kulturës popullore, po aq sa çfarëdo kundërshtimi specifik ndaj këngëve të Gheboasas.
Komentuesi politik Cristian Tudor Popescu e kritikoi Gheboasan dhe i paralajmëroi 308 mijë ndjekësit e vet në Facebook se “ka diçka më të thellë dhe më të zezë” që e përkufizon këtë “incident”. Popescu e pranoi se shpesh shan në fushën e tenisit, por tha se një gjuhë e tillë nuk është pjesë e “Weltanschauung” të tij, një fjalë gjermane që nënkupton “botëkuptim” apo “mendësi”.
Popescu sugjeroi pastaj se referencat e Gheboasas përfaqësojnë një “Weltanschauung” për të rinjtë të cilët brohorisin për të në turmë dhe se ato çojnë drejt “përdhunimit [dhe] tregtisë së mishit të njeriut”, dhe se “dhuna fizike dhe vrasja… janë vetëm një hap larg”.
Ai e përmendi një vrasje të frikshme së fundmi, për të sugjeruar se vrasësi ishte “adhurues i Gheboasas dhe vëllezërve Tate”, influencuesve kontrovers me shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe angleze, të cilët synojnë përhapjen e hipermaskulinitetit në internet, që tani janë duke u përballur me akuza për përdhunim dhe trafikimin të njerëzve në Rumani.
Shumica e mbi 1.000 komentuesve në postimin e Popescut në Facebook, e dënojnë këngëtarin, dhe shumë prej tyre e qajnë gjendjen e shoqërisë, ndërsa disa bëjnë thirrje që një gjuhë e tillë të censurohet.
“Nuk ka asgjë të re”
Përveç miliona adhuruesve të rinj, Gheboasa ka edhe njerëz që e mbrojnë, po ashtu. Profesori i sociologjisë në Universitetin e Bukureshtit, Gelu Duminica, e pranoi se tekstet e këngëve të Gheboasas në Festivalin Unfold ishin: “vulgare dhe të pista”, por argumentoi se: “kjo nuk është asgjë e re me këtë lloj muzike, dhe ajo ka ekzistuar, në forma të ndryshme, përgjithmonë.”
Muzika dhe mesazhet e artistëve rumunë, tha Duminica, janë thjesht një pasqyrim i trendëve në shtëpi dhe jashtë vendit, dhe një “përshtatje” në treg.
Organizatorët e Festivalit Untold e kanë mbrojtur vendimin e vet për ta ftuar Gheboasan për të qenë pjesë e 250 akteve të tjera, duke nënvizuar se ai u paraqit njërën prej ngjarjeve anësore të festivalit, dhe jo në skenën kryesore, ku përformoi grupi pop rok, Imagine Dragons, në natën e njëjtë.
Ata theksuan, po ashtu, përkushtimin e tyre për lirinë e shprehjes dhe thanë se “secili artist merr përgjegjësi për mesazhet e veta dhe për përmbajtjen që ofron”.
Por drejtori për komunikim i Untold, Edy Chereji, tha se festivali do ta mendojë me kujdes “rrugën më të përshtatshme mes lirisë së veprave artistike dhe ndikimeve që mesazhet e tyre mund të kenë gjatë koncertit”.
“Ne nuk mund të pretendojmë se nuk është një zhanër i plotë i muzikës kur është kaq popullor”, tha Chereji.
Profesori Duminica e pranoi se, derisa nuk është adhurues: “nuk mundem pa e pranuar se muzika është e suksesshme dhe ta neglizhosh trapanelen e tanishme në Rumani është plotësisht gabim”.
“Telashi nuk është Gheboasa si njeri; kemi 30 vjet të promovimit të këtij mesazhi në skenë”, tha Duminica. Ai shtoi se historia është e mbushur plot me përpjekje muzikore për ta minuar autoritetin.
“Nga dëshira për t’u pranuar, nga dëshira për të qenë pjesë e grupit, një fëmijë e konsumon atë që e konsumon grupi”, tha Duminica. “Dua të them, ne duhet ta shikojmë faktin se arsyeja kryesore pse gjëra të tilla konsumohen, jemi ne. Por, natyrisht, është më lehtë t’i fajësosh njerëzit si Gheboasa”.
Instituti Evropian për Barazi Gjinore ka vlerësuar se rreth 30 për qind të grave rumune përjetojnë dhunë, përafërsisht shifra e njëjtë për Bashkimin Evropian si tërësi, dhe se dhuna në familje cilësohet si çështje shumë serioze.
Këshilli i Evropës thotë se Rumania ka bërë përparim të rëndësishëm për ta luftuar dhunën kundër grave, veçanërisht qëkur e ratifikoi Konventën e Stambollit më 2016, por thotë se ka ende punë për të bërë.
Kontribuuesja Ariana Coman shkroi për Zërin Rumun se me apo pa Gheboasan: “askush nuk ka shkuar aq larg, saqë të deklarojë se [muzika] trap rumune ka të bëjë me mesazhin filozofik që e përçon”.
Por, argumenton ajo: “ka të bëjë me një prirje drejt tmerrit dhe fantazisë për t’i dëgjuar njerëzit duke folur për gjërat tabu, sepse ata nuk janë të pranuar në shoqëri. Dhe kjo prirje për këtë gjë nuk është asgjë e re”.
Ajo e krahasoi këtë me veprat që flisnin për gjeneratat e kaluara të rumunëve në tone të ngjashme vulgare, grupet si Parazitii dhe B.U.G Mafia.
“Ju mund ta mësoni fëmijën tuaj si të mos jetë mizogjenist qaraman, si të marrë përgjegjësi nëse vërtet do. Por më e lehtë është ta fajësosh muzikën sesa ta pranosh se po e bën një punë të keqe si prind”, shkroi ajo.